Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest do të fillojë të premten dhe do të zgjasë deri më 13 gusht në Prizren.
Në programin për edicionin e 21-të do të jenë 250 filma në tetë kategori garuese, të cilët do të shfaqen në kinematë e Prizrenit.
Në konferencën për medie të mërkurën, u shpalosën disa detaje për mbarëvajtjen e festivalit, mes tjerash u bë e ditur se për herë të parë ky festival do të nominojë një film për çmimin e madh të Akademisë Evropiane.
Drejtoresha ekzekutive e DokuFest, Linda Llulla, tregoi risitë e sivjetme të festivalit.
“Edicioni i 21-të të DokuFest mbahet nga 5 deri 13 gusht. Një program prej më shumë se 250 filma në tetë kategori garuese dhe plot programe speciale. Këtë vit e kemi rikthyer edhe dokukids, kemi përgatitur një program filmash për fëmijë dhe pesë punëtori për shtatë ditë të festivalit. Po ashtu, sivjet, pas pandemisë dhe dy viteve pauzë, po rikthehemi edhe me pjesën muzikore, apo dokunights të DokuFest”, tha ajo.
Ndërsa, drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, tha se pret një numër të madh të vizitorëve, andaj kërkoi edhe mobilizim komunal për këtë festival.
“Jemi duke bërë përgatitjet e fundit logjistike për të risjellë festivalin në formën çfarë kemi dëshirë dhe çfarë ka qenë para kohës së pandemisë…I gjithë programi dhe aktivitetet do të jenë për publik dhe nuk do të ketë pjesë virtuale apo online. Jemi të gëzuar që jemi në mundësi të një rikthimi me një program mjaft të madh. Janë rreth 250 filma që do të shfaqen në një konstilacion pak më të gjerë, me disa kinema të reja, me një vend ku do të zhvendoset i gjithë programi i DokuKids. Kemi vendosur që pjesën e punëtorive dhe shfaqjes së filmave për fëmijë të zhvendosim në ish-kazermën ushtarake. Dy kinema të reja do t’i kemi në kompleksin e Abi Çarshisë dhe gjitha kinematë të tjera tashmë të DokuFestit do të jenë funksionale”, theksoi ai.
Në programin e filmave të shkurtër, sipas Samir Karahoda do të jenë tridhjetë filma që do të jenë në garë.
“Në programin e filmave të shkurtër i kemi tridhjetë filma që do të garojnë. Vlen me përmend se si vjet rrallë herë kemi pasur kërkesa të autorëve për të qenë pjesëmarrës. Për herë të parë sivjet do të nominojmë një film të shkurtër për çmimin e madh të Akademisë Evropiane”, theksoi ai.
Ndërkohë, Alba Çakalli, producente e festivalit, tha se në DokuNighst do të ketë tetë nëntë me performanca të ndryshme artistike.
“Do të kemi tetë net performanca të ndryshme, të cilat do të ndahen në dy vende. Do të kemi performanca muzikore në Andrra dhe Lumbardhë. Programi i muzikës është bërë prej kolegut, regjisorit Leart Rama, i cili është mundur të sjellë një program të pasur kryesisht prej artistë që do të vizitojnë për herë të parë DokuFestin dhe Prizrenin”, përfundoi ajo.
Ndryshe, Akademia Evropiane e Filmit ka përzgjedhur DokuFest-in në maj të këtij viti si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian dhe atë në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe po ashtu filmit dokumentar.