Milani brenda ditës së sotme mund të bëhet me pronarë të rinj. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, RedBird Capital Partners mund të njoftojë blerjen e Milanit sot pasi Gerry Cardinale ndodhet në Milano për të kompletuar marrëveshjen me Elliott.
Të dy palët besohet se kanë shtrënguar duart për një marrëveshje prej 1.3 miliard euro që do t’i shohë pronarët aktualë të Milanit, Elliott, t’i shesin kampionët e Serisë A te RedBird Capital Partners, të cilët ndër të tjera, janë aksionarët e një pakice aksionesh në Liverpool.
Cardinale, drejtori menaxhues i fondit amerikan, është tashmë në Milano dhe duhet të nënshkruajë një marrëveshje sot, kur edhe pritet të dal njoftimi zyrtar.
Cardinale ishte në Milano javën e kaluar për të festuar Scudetton e Milanit dhe u kthye dje për të nënshkruar dokumentet dhe për të përfunduar marrjen e klubit.
Pronarëve të rinj do t’u duhen edhe dy muaj për të marrë kontrollin e plotë të klubit, por Cardinale është tashmë operativ dhe pritet të takohet me Paolo Maldinin më vonë këtë javë për të diskutuar planet e transferimeve të klubit në afatin kalimtar veror.