Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kanë nevojë për mbështetje sa i përket rritjes së buxhetit për FSK-në dhe lirim nga doganat. Ai ka raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku tha se ndër prioritet e tij është fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile në FSK që sipas tij është e dobësuar. Në raportimin e tij të parë para deputetëve, Mehaj është përgjigjur edhe rreth mundësisë për shërbimin e obligueshëm ushtarak, për çka ka thënë se një plan i tillë nuk pritet të bëhet në dy vitet e para të qeverisjes.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka folur për objektivat e ministrisë të cilën e drejton që prej 23 marsit të këtij viti ku ka theksuar që synojnë forcimin ushtarak, rritjen e transparencës, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral anëtarësimin në organizata e pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare.
“Mbikëqyrja demokratike civile në FSK është pak e dobësuar në substancë, aty lypet edhe ndryshime, do të flas më vonë në raport. Tash qysh do të punojmë tutje, përmes pikave, fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe përmes llogaridhënies dhe transparencës, përmes amendamentimit të kornizës ligjore në fushën e mbrojtjes, rritja e kontrollit të brendshëm, mundësi të barabarta, menaxhimi i aseteve dhe burimeve njerëzore, shfrytëzimi racional i parasë publike, këtu kemi pak punë brenda sistemit”, tha Meha.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mehaj ka thënë se u nevojitet mbështetje sa i përket rritjes së buxhetit për FSK-në.
“Kemi nevojë për mbështetje për të rritur buxhetin, kemi përmend edhe përmes qeverisë, tjetra pikë që kam lyp mbështetje është të lirohemi nga doganat dhe shlyerjen e borxhit të doganave, e kemi një borxh të caktuar në dogana, por edhe çdo mall që na vjen përmes Ministrisë së Mbrojtjes ne paguajmë doganë, rimbursimi na shkon 12 deri 14 muaj. Sa i përket forcimit ushtarak, ne do të punojmë në drejtimin e vazhdimit të planit për forcimin e regjimenteve si t’i kryejnë detyrat në mbrojtje të territorit të Kosovës, në atë kuptimin të forcohemi ushtarakisht përmes armatimit sa i përket këtyre detyrave për mbrojtjen e territorit të Kosovës”, ka thënë Meha.
Ministrin Mehaj, i cili ka shërbyer në ushtrinë e Norvegjisë, e kanë pyetur edhe sa është e qëlluar që ai tani të ushtrojë kontroll civil, meqë është ish-ushtarak.
“Folët shumë për kontrollin civil të ushtrisë, unë kam parë se tre ministrat e Mbrojtjes të fundit të Norvegjisë, nuk kam parë asnjë ushtarak me profesion që ka qenë, jeni ushtarak me profesion, ushtarak i rangut të mesëm, çfarë mendoni sa është e qëlluar dhe sa është realisht reale që të ushtroni kontroll civil si ish-ushtarak”, ka thënë deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.
Ministri i Mbrojtjes shkurt ka treguar se ka shërbyer edhe civil në Norvegji, derisa tutje është përgjigjur rreth idesë për shkollimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila synohej nga Qeveria Kurti 1.
Mehaj ka thënë se plani për shërbimin ushtarak të obligueshëm nuk pritet të bëhet në dy vitet e para, veçse vazhdon të mbetet plan për të ardhmen.
“Sa i përket profesionit, kam qenë edhe ushtarak edhe civil në Norvegji, kështu që puna duhet të dëshmojë të vetën. Besoj që një plan do të kemi në të ardhmen por së pari merr kohë, siç e dini duhen shumë dikastere të involvuara për të hartuar një plan sa i përket detyrimit ushtarak, sa buxhet duhet për detyrim ushtarak, këtu duhet me të vërtetë edhe më shumë kohë, sepse së pari duhet një plan gjithëpërfshirës, tani duhet kazerma ushtarake, vende për me t’i kryer këto detyra sa i përket obligimit ushtarak, kështu në të ardhmen do ju përgjigjem, por nuk besoj që në këtë vitin e parë e të dytin është e mundur të realizojmë këtë projekt, por në plan qeverisës është”, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes është përgjigjur edhe rreth pjesëmarrjes së FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit, për çka ka thënë se presin që së shpejti të jenë pjesëmarrës edhe në operacione të tjera përveç në Kuvajt ku po qëndrojnë aktualisht.
Mehaj ka folur edhe për vizitën e tij të parë zyrtare në Kroaci ku ka treguar se kanë diskutuar për blerje ushtarake. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se synojnë që të nënshkruajnë një marrëveshje brenda muajit maj për shkëmbim informacionesh dhe përvojash me Kroacinë.
Aktualisht Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2 mijë e 700 pjesëtarë aktivë derisa është në proces të rekrutimit edhe të 400 pjesëtarëve të rinj.