Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria Rajonale e Kufirit ka gjetur dhe sekuestruar 34 thasë duhan ‘refuz’ të papërpunuar, me mbi 500 kilogramë në total, dhe 94 paketime duhan me rreth 94 kilogramë.
Në një komunikatë për media Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin.
“Si rezultat i kësaj, me datën 05.05.2022, në orët e mbrëmjes, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të Policisë kufitare është arritur të identifikohen katër kuaj të cilët ishin futur në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Maqedonisë Veriore, dyshohet përmes rrugëve ilegale, të cilët ishin të ngarkuar me duhan të papërpunuar. Duke u bazuar në informacione inteligjente, ngarkesa së bashku me kafshët-kuajt, kishin pasur destinacion shtëpinë e personit të dyshuar Z.N., në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, me qëllim të ri-ngarkesës në një automjet me targa vendore. Pas konsultimeve me prokurorin kompetent, është bastisur edhe shtëpia e pabanuar, me ç ‘rast në një nga hapësirat e saj, janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e mallit të njëjtë – duhan i papërpunuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pas hetimeve preliminare në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse, malli-duhani i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës.
Me rastin është duke u marrë Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare- Lindje, dhe vendimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent.