Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që seanca e radhës parlamentare të mbahet të enjten, më 17 qershor.
Sipas informatave, seanca do të nis në orën 10:00 me disa pika të rendit të ditës.
Në seancën parlamentare të radhës në rend dite janë 9 pika, ndër to: Deklarimet jashtë rendit të ditës, Pyetjet parlamentare, Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
Pas mbledhjes së kryesisë nuk kanë dhënë qëndrime anëtarë të tjerë, përveç kryekuvendarit Glauk Konjufca, i cili vëri theksin te dialogu Kosovë-Serbi, asociacioni dhe liberalizimi i vizave.
Madje, Konjufca për herë të parë prej që është bërë kryetar i kuvendit ka dalë para mediave pas kryesisë.