UBT News

​Ronaldo ka një falënderim për tifozët e Liverpoolit, tregon pse nuk iu bashkua Cityt

Vazhdojnë të publikohen edhe më tutje pjesë të tjera nga intervista bombastike e Cristiano Ronaldos e cila bëri bujë për shkak të kritikave të tij të ashpër ndaj klubit në të cilin luan, Manchester United.

Ai ka treguar se ishte kërkuar me ngul nga Manchester City, por historia e tij me “Djajtë e kuq” dhe ndikimi i Alex Ferguson bënë që ai ta refuzojë ofertën e skuadrës së Pep Guardiolas.

“Isha pranë bashkimit me Manchester Cityn në vitin 2021. Isha i befasuar pasi ata u përpoqën shumë për të nënshkruar me mua. Por zemra ime, historia ime me Man United dhe Sir Alex Ferguson ka bërë ndryshimin. Zemra po më fliste me zë të lartë në atë moment”, tha Ronaldo.

Ylli portugez më tutje ka befasuar të gjithë duke falënderuar tifozët e Liverpoolit, skuadrës rivale të Manchester United. Falenderimi i tij ka të bëjë me faktin se ata e duartrokitën atë pas ngjarjes tragjike ku Ronaldo humbi të birin e tij të posa lindur, përcjellë KosovaPress.

“Dua të falënderoj tifozët e Liverpool-it për gjestin e tyre pasi humba fëmijën tim – nuk e prisja kurrë këtë, pata rastin tani t’i them të gjithë komunitetit anglez faleminderit për atë lloj mbështetjeje që ata patën me mua, jo vetëm Liverpool-in”, tha ai.

Për të gjitha këto deklarata, e ardhmja e Cristiano Ronaldos tani është shumë e paqartë dhe United së shpejti pritet të dalë me një vendim.

Ndërkohë Ronaldo i është bashkuar Portugalisë në Kampionatin Botëror.

Exit mobile version