Liverpool nuk arriti të shënonte gol në “Anfield Road” në ndeshjen e tretë radhazi, për herë të parë që nga viti 1984.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Andrew Robertson ka pranuar që skuadra e tij momentalisht nuk është në luftë për titullin e Premier Ligës, pas humbjes mbrëmë si vendas kundër Brighton, me rezultat minimal 0:1.
Mbrojtësi i krahut Robertson foli për media pas ndeshjes, duke e pranuar se ekipi i tij nuk ishin më të mirët në këtë përballje.
“Brighton ishin ekip më i mirë se ne. Ne nuk ishim në elementin më të mirë. Duhet t’iu japim meritat e fitores, krijuan shanse dhe presion, gjëra që ne dëshironim t’i bëjmë”, tha Robertson për “BBC”.
Skocezi po ashtu foli edhe për ndeshjen e radhës kundër Manchester Cityt, që Liverpooli e zhvillon në fundjavë.
“Çdo ndeshje kundër Manchester City-t është një ndeshje e madhe. Si qëndrojnë gjërat, momentalisht ne nuk jemi në garë për të mbrojtur titullin e Premier Ligës. Jemi shtatë pikë larg tyre dhe ata kanë edhe një ndeshje më pak se ne të zhvilluar. Jam i sigurt që nëse edhe ata do të ishin në të njëjtën situatë, nëse do të ishin 10 pikë larg vendit të parë. Duhet t’i rikthehemi fitoreve, duhet të rikthehet Liverpooli që e njohin të gjithë”, shtoi Robertson.
Kampioni aktual i Premier Ligës Liverpooli do të zhvillojë ndeshje kundër rivalit Manchester City këtë të diele dhe më pas e pret një tjetër sfidë e vështirë ndaj Leicester.