Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora e përlotur ka folur për rastin e dhunimit seksual të 11-vjeçares në Prishtinë.
Ajo ka thënë se është me rëndësi që fëmijët të mësohen të respektojnë gratë dhe t’i trajtojnë ato në mënyrë të barabartë.
Në konferencën për media para fillimit të koncertit në Tiranë, Rita Ora është shprehur tejet emocionale për rastin e të miturës, e cila dyshohet se u dhunua një javë më parë nga pesë persona.
“Dua të shfrytëzoj rastin për të folur sepse me të vërtetë është e rëndësishme. Më falni, jam e mërzitur sepse e di se çfarë ka ndodhur. Përvojë vërtet traumatike që ndodhi disa javë më parë. Dhe unë mendoj se është me të vërtetw e rëndësishme të dimë se si i rrisim fëmijët tanë dhe t’iu japim fëmijëve një shans të mësojnë se si të respektojnë gratë dhe të na trajtojnë vërtet në mënyrë të barabartë, dhe të kemi të drejtën të ndihemi rehat kur ecim rrugës. Dhe sinqerisht shpresoj shumë që prindërit dhe mendoj se veçoria e vendit tonë mund t’i ndihmojë me të vërtetë gratë. Edhe burrat duhet që të bashkohen vërtet dhe të mësojnë për të drejtat e ndërsjella, të barabarta dhe respektin”, ka thënë ajo mes lotëve.
Ajo ka ftuar të gjithë që të marrin pjesë në koncertin që do të mbahet sonte në sheshin “Skëndërbeu” në Tiranë.
“Dua të theksoj që të flasim për rininë, nuk është diçka që e marrim si të mirëqenë. Dhe dua të theksoj që unë si ambasadore nuk i marrë të mirëqena, por dua të theksoj rëndësinë që ato kanë për të ardhmen tonë kryesisht. Të gjithë talentet që kanë dalë vitet e fundit në fushën time, por jo vetëm, dhe të them që ëndrrat bëhen realitet”, ka shtuar ajo.
E kryetari i Tiranës, Erion Veliaj është shprehur i lumtur që këngëtarja me famë botërore do të performojë sonte para publikut shqiptar.
“Rita është princesha, mbretëresha jonë e pop-it, krenaria jonë. Ajo çfarë kam kuptuar është që e gjithë familja është pjesë e aktivizmit. Jo vetëm aktivizimit muzikor por edhe social. Jo vetëm aktivizim mes nesh shqiptarëve, por kudo. Vera ka qenë disa herë me ne, edhe në javët e aktivizmit për të drejtat e grave, në shumë çështje të shëndetit mendor. Edhe për Besnikun kush ka jetuar në Londër e ka kuptuar që ka një defacto një ambasadë shqiptare prej 30 vitesh”, ka thënë Veliaj.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se koncerti do të jetë me vajza.
Kujtojmë se një javë më parë dyshohet se u dhunua seksualisht një 11-vjeçare nga Prishtina. Për këtë rast janë arrestuar pesë meshkuj, në mesin e tyre edhe të mitur. Gjithashtu në qershor të këtij viti, e mitura ishte raportuar në polici si e zhdukur. Gati tre muaj më pas, janë arrestuar gjashtë persona të tjerë me dyshimet për trafikim dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit