Superliga e Kosovës në futboll rikthehet pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Xhiroja e 14-të nis me ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit që luhet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim prej orës 13:00.
Në këtë ndeshje debuton në stolin e bardheklatërve trajneri Abdulah Ibrakoviq, i cili pason Zekirija Ramadanin si trajner i klubit kryeqytetas. Ai tha se pret një ndeshje të mirë dhe reagim nga futbollistët e Prishtinës.
“Nga ndeshja (ndaj Dukagjinit) pres një reagim pozitiv nga skuadra ime dhe përkushtim të mrekullueshëm gjatë gjithë ndeshjes. Skuadra është e vetëdijshme për momentin që ne jemi dhe secili individ është i vetëdijshëm se që pesë ndeshjet e ardhshme duhet të dëshmohet se kanë cilësi të luajnë për Prishtinën”, citohet Ibrakoviq.
“Timonieri” nga Bosnjë e Hercegovina ndër të tjera tha se e ka analizuar edhe skuadrën e Dukagjinit.
“Ne e kemi analizuar ndeshjen e Dukagjinit dhe mënyrën sesi ata luajnë. Ata kanë disa lojtarë të mrekullueshëm dhe ne do ta japim maksimumin për t’i mposhtur ata”, vlerësoi Ibrakoviqi.
Në sfidën e parë të këtij edicioni Prishtina arriti fitore ndaj Dukagjinit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat 1:2.
Prishtina para këtij takimi renditet në pozitën e gjashtë me 17 pikë të tubuara, kurse Dukagjini renditet i teti me 14 sosh.
Ndryshe, biletat për këtë ndeshje kanë dalë në shitje të enjten, ndërkohë që shitja vazhdon edhe ditën e ndeshjes (e premte) deri në orën 12:30.