UBT News

​Reagon Toverlani: Mediat më trajtuan si kriminel, së shpejti takohem me Ahmetin

Trajneri i futbollit, Afrim Toverlani ka reaguar ashpër përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook në lidhje me zhvillimet e fundit ku u raportua se ai e kishte sulmuar me thikë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe si pasojë e kësaj edhe u arrestua nga policia e Kosovës.

Toverlani ka thënë se njihet shumë moti me Ahmetin dhe ka akuzuar mediat duke thënë se ato e trajtuan si një kriminel, edhe pse, siç thotë ai, duke mos pasur asnjë fakt mbi të vërtetën e rastit.

“Falenderoj të gjithë të cilët kanë shprehur interesim lidhur me rastin tim. Jam shumë i befasuar nga ana e mediave të Kosovës se si e kanë trajtuar dhe paraqitur ndodhin time me tituj skandaloz dhe bombastik në raport me mikun tim Shpend Ahmeti. Në fakt e vërteta e këtij rasti është shumë më ndryshe dhe se unë njihem shume moti me Shpendin, dhe nuk është e vërtetë se e kam kërcënuar, gjë të cilën e ka mohuar edhe vet kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti me postimin e tij në profilin personal në Facebook”, ka shkruar Toverlani.

Më tutje Toverlani e ka falënderuar Ahmetin për deklarimin korrekt në lidhje me këtë rast dhe ka shtuar se së shpejti do të takohen për një kafe së bashku.

Exit mobile version