Marcus Rashford ka mohuar të ketë konfirmuar se Jadon Sancho do t’i bashkohet atij te Manchester United.
Ka dy vjet që Sancho është duke u lidhur me një kalim në stadiumin “Old Trafford”, dhe United nuk mundi ta transferojë nga Borussia Dortmundi vitin e kaluar, por si duket ylli anglez është shumë pranë transferimit këtë verë.
Në një postim të një tifozi në “Twitter”, Rashford si duket e kishte konfirmuar që Sancho do të kalojë te “Djajtë e Kuq”, ku në postim shkruante ‘Konfirmoje Sanchon, Marcus’ ndërsa Rashford i ishte përgjigjur me ‘Po’.
Pas kësaj, Rashford tregoi që mesazhi i dërguar nga llogaria e tij nuk ishte nga ai, por nga një haker, i cili kishte thyer profilin e sulmuesit anglez.
“Një thyerje e vogël, dhe jam rikthyer. Mirëmëngjesi të gjithëve”, ylli i United shkruante në “Twitter”.
Siç raportohet edhe nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, Manchester United është shumë afër transferimit të Sanchos nga Borussia Dortmundi, ku United dhe Sancho kanë marrëveshje verbale, ndërsa kanë mbetur të përfundohen disa detaje të pagesës prej 95 milionë euro mes dy krerëve të klubeve.