Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, e cila shënohet për nder të miliona viktimave të gjenocidit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama në një postim në Facebook ka shkruar se “Dita Ndërkombëtare e Holokaustit është një arsye për t’u ndjerë krenarë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e kohës më të zezë për Evropën, që bënë histori duke marrë në mbrojtje hebrenjtë kur makineria më e madhe shfarosëse e historisë së njerëzimit, i griu bijtë e Izraelit si të ishte një makinë mishi e prodhuar në fundin e ferrit”
“I paharruar përjetë kujtimi i viktimave të Holokaustit”, ka thënë ai.
Ndryshe, rreth gjashtë milionë hebre u vranë në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.
Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.
Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë kanë luajtur shqiptarët, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri.