Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij malazez, Dritan Abazoviq, kanë mbërritur në Kiev. Ata pritet që të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Abazoviq, i cili ka shpërndarë pamje nga momenti i mbërritjes në kryeqytetin ukrainas.
“Mbërritëm në Kiev me Edi Ramën për të dhënë mbështetjen tonë të sinqertë për Ukrainën dhe qytetarët e saj në mbrojtje të të drejtave të tyre për liri! Mali i Zi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe fatkeqësi humanitare”, ka shkruar Abazoviq.
Ata do të priten sot nga homologu i tyre ukrainas, Volodymy Zelensky, derisa pritet që të vizitojnë disa nga zonat më të goditura nga luftimet. Ndër to edhe rajonin e Buchas.