Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku në konferencën e sotme për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndarë 5.5 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Çeku tha se Qeveria ka marrë vendimin për ta përmbyllur procedurën e shpronësimit për ta zgjeruar Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, dhe se projekti është hartuar.
“Me vendimin përfundimtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës është përmbyllur procedura e shpronësimit për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë…Projekti tashmë është hartuar, pra e kemi projektin zbatues për zgjerimin e këtij kompleksi sportiv shumë të rëndësishëm”, tha Çeku.
Po ashtu, i pari i MKRS-së tha se projekti i zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, dhe se kostoja e këtij projekti kap shifrën e 5.5 milionë eurove.
“Me vendimin e sotëm të Qeverisë përfundon shpronësimi, shumë shpejtë shpallet procedura e prokurimit për ndërtimin, respektivisht zgjerimin e këtij kompleksi sportivë, i cili bën pjesë në kuadër të programit shtetërorë pesë vjeçarë, ‘Kosova, shtet i xhudos’, por njëherit ndërtimi i këtij kompleksi, pra zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë është edhe përmbushje e zotimeve tona në përgatitje të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Kostoja e këtij investimi do të jetë 5.5 milionë euro”, tha Çeku.
Xhudo po merr përkrahjen dhe vëmendjen e duhur nga organet e shtetit, pas sukseseve të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare të ekipit kosovar.