UBT News

​Qeveria i propozon ZRrE-së që bllok tarifa të jetë 1000 kWh dhe jo 600

Qeveria e Kosovës ka prezantuar komentet që ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me tarifat e energjisë elektrike.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media tha se kanë propozuar që bllok tarifa të jetë 1000 kWh, dhe e ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

“Ne kemi propozuar që për amvisëritë, pra për konsumatorët familjarë, blloku i parë tarifor të jetë 1,000 kWh dhe i ndarë 500kWh gjatë ditës dhe 500 kWh gjatë natës, pra të jetë 1000, pasi që konsiderojmë që për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë. Dhe, për këto 500 kWh ditën dhe 500 kWh natën, çmimi do të mbetet i pandryshuar. Do të thotë mbeten këto çmime që janë aktualisht. Për ato familje që nuk e tejkalojnë këtë prag, nuk do të ketë fare ekspozim ndaj lëvizjeve dhe rritjeve në çmim. Kurse, për ata që e tejkalojnë këtë prag, propozimi ynë ka qenë që edhe tarifa e lartë, mbi 500 ditore, të ulet nga 14 cent në 11.5 cent, pra edhe këtu të ketë një zbritje. Me këtë propozim, kemi vlerësuar që gjenerohen 22.5 milionë euro për ta zvogëluar këtë hendekun që e thashë prej 110, respektivisht 70 milionë euro”, tha ai.

Murati bëri të ditur se kanë dhënë edhe propozimet konkrete sa i përket raportit për të hyrat maksimale, e që siç tha ai, janë që të zvogëlohet hendeku nga 132 milionë euro në 110 milionë.

“Kemi dhënë propozime konkrete sa i përket raportit për të hyrat maksimale të lejuara, pra kemi identifikuar diku 21 milionë euro për të cilat mund të zvogëlohet hendeku, pra ZRrE ka propozuar që të mbulohet konsumi për tërë vitin i energjisë elektrike. Nevojiten 446 milionë euro, ndërsa me tarifat aktuale mund të grumbullohen 314 milionë euro. Sipas ZRrE-së, hendeku që është dashur të mbulohet ka qenë 132 milionë euro e që sipas tyre bashkë me subvencionimin prej 75 milionë euro nga Qeveria është dashur të vendoset edhe bllok tarifa në nivelin 600 KWh dhe pastaj pjesa tjetër të bëjë me tarifa tjera, pra të ketë çmimin 14 cent dhe 6 cent për tarifën e lartë dhe të ulët përkatësisht”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë propozuar që ZRrE të llogarisë si kontigjencë tek të hyrat maksimale të lejuara shumën prej 40.8 milionë euro, të cilën gjykata ka kërkuar t’u kthehet konsumatorëve nga KEDS, meqenëse vendimi është apeluar dhe ende pret verdiktin përfundimtar.

“Ne kemi dhënë edhe një propozim tjetër për ZRrE- në, Gjykata themelore tashmë ka marrë një aktgjykim për sa i përket për çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit. Sipas tij, kërkohet nga ZRrE që ta obligojë KEDS-in që shumën prej 40 milionë e 885 mijë e 480 euro t’ua kthejë konsumatorëve përmes tarifave, kjo ka të bëjë me shumën që është faturuar deri në kohën sa ka qenë pjesë e konsumatorëve në pjesën veriore të energjisë elektrike, pra janë 41 milionë euro për të cilat ka një aktgjykim të Gjykatës Themelore, mirëpo ky është apeluar nga ZRrE, dhe kërkesa jonë si Ministri që kjo pjesë, ky 41 milionë të përfshihet si kontingjente për të hyrat, dhe kësisoj të ndërhyjmë në të hyra maksimale të lejuara të ulëta, pra këtë 41 milionë dhe të merret vendimi përfundimtar i gjykatës dhe të vendoset nëse vendimi konfirmohet i Gjykatës Themelore që obligimi nga 41 milionë i është kthyer konsumatorëve që ka qenë gabim dhe duhet të rishqyrtohet dhe të bartet në tarifat e vitit vijues. Kështu do të kishim të hyrat maksimale të lejuara prej rreth 380 milionë euro, nga 446 do të binte në 380 dhe hendeku do të zvogëlohej në afërisht 70 milionë euro”, tha ai.

Ministri Murati tha se kanë propozuar edhe një masë tjetër në ZRrE, e cila ka të bëjë me atë se nëse një familje shpenzon për një muaj më pak se në muajin e njëjtë të vitit paraprak, ajo të subvencionohet nga shteti.

“Masa ka të bëjë se kushdo që arrijnë ta ulë konsumin në raport me muajin e njëjtë të muajit paraprak proporcionalisht të subvencionohet, në raport me vitin paraprak për muajin shkurt një familje arrin të kursejë 10 për qind të energjisë elektrike, pra shpenzon më pak në kWh gjatë ditës e njëjta shumë do të subvencionohet nga shteti për faturën që e ka ajo familje për atë muaj, dmth nëse dikush ka shpenzuar 100 euro në shkurtin e vitit të kaluar dhe këtë vit arrin ta ulë konsumin për 10 euro në 90 euro do të marrë aq nga shteti, pra do të kursejë dyfish”, tha ai.

Të hënën në orën 16:00, ka përfunduar afati për dorëzim të komenteve lidhur me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtim të rrymës.

Exit mobile version