Qeveria ka shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë së Kosovës për dy muaj. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u tha se ky proces do të fillojë në nëntor të këtij viti, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe vonesave të shkaktuara. Po ashtu, janë ndarë 60 mijë euro në kuadër të masës 1.3 për punësimin e grave dhe 100 mijë euro për investimin në infrastrukturë dhe ambient.
Kryeministri Albin Kurti ka hedhur akuza për procesin e vitit 2011 të regjistrimit të popullsisë, ku deklaroi se është bërë me një memorandum të thjesht mirëkuptimi.
“Duke respektuar kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë, ndryshe përveç se si marrëveshje ndërkombëtare. Për dallim nga qeveritë e kaluara të cilat në vitin 2011 pikërisht në qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilat ia transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit, e bën me një memorandum të thjeshtë mirëkuptimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhet”, deklaroi ai.
Më tej, shefi i ekzekutivit shtoi se prokurimi i është lënë në menaxhim Autoritetit Qendror të Prokurimit, për çka ka pasur rezistencë brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Megjithatë, ai deklaroi se ky proces do të fillojë me vonesë.
“Procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj me vonë. Për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Për këtë propozoj para jush që të plotësojmë-ndryshojmë vendimin për datën e fillimit të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet, duke filluar nga data 1 nëntor 2023”, tha Kurti para ministrave.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investimin në infrastrukturë. Këto mjete janë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të pakos së ringjalljes ekonomike.
“Bëhet fjalë për masën 1.3 që është mbështetja e punësimit të grave që është masë në vazhdim, ku do të ndahen 60 mijë euro si dhe masa 5-investimi në infrastrukturë dhe ambient ku parashihen të ndahen 100 mijë euro, pra tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në programin ‘renovimi i objekteve ekzistuese të departamentit të pensioneve’ me kod 13484”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kabineti qeveritar ka vendosur edhe për përfundimin e mandatit të parakohshëm të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se shkarkimi i tij bazohet në raportimet për shkelje profesionale.
“Mosaprovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të zotëri Ejupit nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje të eskpertëve austriakë dhe një varg shkeljesh të cilat janë të paraqitura në memorandumin shpjegues që është përcjellë në qeveri, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e mandatit të parakohshme të zotëri Bujar Ejupit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil”, deklaroi ai.
Ndërkaq kabineti qeveritar ka shtyrë për shqyrtim shpronësimin e pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, po ashtu i janë propozuar Kuvendit të Kosovës, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku si kandidatë për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Aurotitetit të Konkurrencës.
Ministrat kanë votuar pro edh koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile dhe për Gjykatën Administrative dhe të Punës.