Paris Saint-Germain aksidentalisht e ka konfirmuar transferimin e Sergio Ramos, pasi që ky i fundit është larguar si lojtar i lirë nga Real Madridi.
Gjiganti francez kishte publikuar dje një artikull në faqen e tyre zyrtare duke e konfirmuar që mbrojtësi spanjoll do të mbajë numrin 4, para se të bëjnë zyrtare transferimin e tij.
Ramos është parë në ambientet e stadiumit “Parc de Princes” të mërkurën, kurse sot pritet të bëhet zyrtare lëvizja e tij tek PSG.
Por, gjiganti francez e ka konfirmuar dje që mbrojtësi spanjoll do të mbajë numrin 4 për sezonin e ardhshëm, ku më pas artikulli është fshirë menjëherë.
“Këtë numër 4, e çmoj shumë dhe besoj në të, sepse e kam pasur që nga fillimi i karrierës sime, dhe më ka përcjellur gjatë jetës sime, duke vazhduar me mua, duke më sjellë fat, dhe shumë fitore”, citohet të ketë thënë Ramos në artikull.
“Tani numri 4 është pjesë e imja si njeri dhe si një profesionist. Për mua, është një privilegj për ta mbajtur këtë numër në një skuadër kaq të madhe, si Paris Saint-Germain. Kështu që do të jetë shumë speciale për ta mbajtur numrin tim këtu në Paris”, shkruante më tej në artikull.
Pas një karriere 16-vjeçare tek Real Madridi, Ramos u largua nga “Santiago Bernabeu” pasi që nuk iu vazhdua kontrata nga krerët e gjigantit spanjoll, dhe tani i bashkohet Paris Saint-Germain si lojtar i lirë.