Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë nuk ka pasur mundësi të aplikojë pranë komisionit qeveritar dhe të gëzojë pensionin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe organizatat tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet.
Sfidat dhe shqetësimet e burrave dhe grave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë përmendur edhe në tryezën “E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuara, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndjerë dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit. Fatkeqësisht janë edhe shumë gra dhe burra që ende kanë probleme me familjen, ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje me familjen. Shumë nga ato presin fatkeqësisht që t’iu vdes burri, që t’iu vdes vjehrra, që t’iu martohet fëmijët, janë rrethana psikologjike në familje që ato duhet të marrin vendimin. Ky afatizim qysh në këtë periudhë kohore e ka krijuar një lloj vakumi ligjor”, theksoi Rushiti.
Në komisionin i cili ka mbaruar punën në shkurt, Rushiti shtoi se nuk është pranuar asnjë histori e re e viktimave të dhunës seksuale.
E zhgënjyer me këtë proces u shpreh drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, e cila tha se tash e 24 vjet po përballen me sfida.
“Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer me këtë afat të kufizimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Pasi që kemi pritur shumë vjet dhe sot pas 24 vjet po duhet ende që të ballafaqohemi për të kërkuar të drejtën e këtyre grave. Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefitive siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime tek komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë”, shtoi Tahiraj, duke përmendur edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen viktimat kur paraqiten në komision.
Edhe drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu tha se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin e familjes e shoqërisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre.
“Me ketë proces që kemi filluar të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ne jo vetëm që kemi hapur rrugë që të flasin gratë dhe që një nevojë për njohje të tillë institucionale dhe për të përfituar përmes një pensioni mujor, ka ndikuar që gratë ta marrin këtë hap. Konsideroj se shumë gra edhe tash kanë ngel akoma në dilemën e qasjes në këtë proces. Pavarësisht qe jemi në një vakum, tash kanë kaluar gjashtë muaj jemi në pritje të amendamentimit të ligjit, për ta vazhduar procesin, kemi pritur vite të tëra që të fillojmë me këtë proces, të fuqizojmë gratë dhe nuk duhet të presim më tepër që ky proces të fillojë”, theksoi Shehu në këtë tryezë.
Të vështirë e ka konsideruar për viktimat, Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, vakumin ligjor të krijuar pas përfundimit të mandatit. Sipas saj, krimet e luftës janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe të njëjtat nuk parashkruhen.
“Kjo është duke shkaktuar një ri-traumatizim tek të mbijetuarit, mirëpo ne shpresojmë dhe ju bëjmë thirrje institucioneve, parlamentit, qeverisë që sa më shpejt që të fillojmë zbatimin ose vazhdimin e punës për aplikim. Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatës do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”, deklaroi Sada.
E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.
“Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe unë për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapë se prapë kemi pasur probleme… Kërkimi i shenjave trupore pas sa kohë, mënyra si e kanë trajtuar femrën është problem. Ka qenë ofenduese çfarë kanë përjetuar”, deklaroi Balje.
Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2024. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.