Kampioni i Superligës së Kosovës në futboll Prishtina, ka mësuar sot kundërshtarin në fazën preliminare për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me skuadrën nga San Marino, Folgore.
Shorti është hedhur sot, ku përveç gjysmëfinales së parë të fazës preliminare mes Folgore dhe Prishtinës, gjysmëfinalja tjetër do të jetë mes Torshavn dhe Inter Club D’Escaldes.
Pasi që mësoi kundërshtarin, trajneri i “Plisave” Zekirija Ramadani reagoi rreth këtij shorti, ku u shpreh i kënaqur që do të përballet me kampionët e San Marinos.
“Short siç e kemi dëshiruar. Por, nëse e marrim që ka mbaruar puna me short, atëherë kemi dështuar. Besoj që do të gjejmë formën optimale që të përballojmë me sukses kampionët e San Marionos”, tha Ramadani.
Trajneri i Prishtinës e pranoi që njohuria për kundërshtarin është e paktë, duke thënë që do ta analizojë kundërshtarin deri në ditën e ndeshjes.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë turnir, shorti i të cili na gëzon, por nuk na jep aspak komoditet. Kemi pak njohuri për kundërshtarin, por do t’i hulumtojmë dhe t’i analizojmë deri sa të vijë dita e ndeshjes”, shtoi Ramadani.
Më datën 22 qershor, do të zhvillohen të dy gjysmëfinalet, kurse tre ditë më vonë, më 25 qershor do të zhvillohet finalja.