Tubimet elektorale në vendet e mbyllura të partive politike dhe mosndëshkimi i këtyre subjekteve po konsiderohet diskriminues nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNJ), Oda e Afarizmit të Kosovës dhe gastronomët.
Përgjatë muajve të fundit janë shqiptuar mbi 100 mijë gjoba në vlerë mbi 3 milionë euro, ndërsa asnjë nga këto nuk është për aktivitetet e partive politike të cilat nxorën Ligjin për pandeminë.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë për KosovaPress se me këto veprime të partive politike dhe inspektoratit po krijohet një veprim diskriminues duke ndëshkuar vetëm qytetarët dhe bizneset. Shala po ashtu theksoi se shumë biznese kanë falimentuar shkaku i masave anti-COVID.
“Absolut nuk duhet të krijohet një raport diskriminimi, të favorizohen politikanët, të diskriminohen qytetarët. Kemi raste që disa sektorë të ekonomisë janë pranë falimentimit apo kanë falimentuar pikërisht shkaku i masave anti-COVID. Edhe gastronomia dhe të tjerët kanë pësuar. Ka shumë raste kur hynë në ndonjë kafiteri, futen policia dhe inspeksioni, dhe kur shohin që nuk ka distancë sociale prej dy metrash, aty për aty shqiptohen dënimet e larta. Ndërkaq, kemi parë tubime nëpër të mbyllura nëpër restorante, oda ku politikanët nga afërsia e tyre thuajse vetëm sa nuk përqafohen dhe nuk ka asnjë masë ndaj tyre”, thotë ai.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi thotë se fatkeqësisht masat nuk i respektuan ato parti politike të cilat nxorën Ligjin për pandeminë.
Krahas kësaj, Krasniqi thotë se këto parti që po vazhdojnë të mbajnë aktivitete në kundërshtim me ligjin nuk po ndëshkohen nga askush, e në anën tjetër kanë ngufatur ekonominë, sektorin privat dhe punëtorët.
“Ne prej fillimit të pandemisë e deri tash kemi thënë që Kosova fatkeqësisht është ndarë në dy shtresa, shtresa e skllavo-pronarëve që është pushteti dhe shtresa e skllavërisë qytetarët dhe bizneset ku vendimmarrja e tyre mund të jetë vlefshme vetëm për ne, por jo edhe për ta. Kjo ka ndodhur edhe në këtë rast, ku edhe për kundër vendimit të qeverisë për kufizimin në pesë vetë dhe tubimet për ndalimin e aktiviteteve që kemi kërkuar edhe ne si Odë e Afarzimit për protestë, por na është ndaluar për shkak të vendimit të qeverisë, ndërsa (partitë) po vazhdojnë të mbajnë aktivitete në kundërshtim me Ligjin të cilin e kanë nxjerrë vetë”, thekson Krasniqi.
Po ashtu Krasniqi theksoi se me kufizimet me orë policore, bizneset, punëtorët dhe qytetarë që pësuan mjaft nga pandemia, nuk u mbështeten financiarisht.
“Ne kemi kundërshtuar edhe vendimin për kufizimin e orës policore dhe vendimet e tjera që janë ndërmarrë vitin e kaluar, patëm kërkuar që mos të ketë orë policore të mos ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, të ketë reduktim të orarit, por që për orarin e reduktuar për biznese të mbështeten financiarisht bizneset. Kjo nuk ka ndodhur, vendimet për kufizime janë marrë, ndërsa bizneset e as punëtorët që afektohen nga ky vendim nuk po përkrahen nga shteti”, deklaroi ai.
Edhe gastronomët kanë reaguar ndaj tubimeve të partive politike tash para fushatës zgjedhore dhe dënimeve të ashpra ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi tha se ky është standard i dyfishtë, pasi që deri më tani mbi 5 mijë dënime janë shqiptuar për gastronomët për shkak të shkeljeve të masave anti-COVID, përfshirë edhe për numrin e njerëzve brenda lokaleve.
“Kjo çka po shohim në Kosovë ka te bëjë me standarde te dyfishta. Mbi 5 mijë dënime për gastronomët e asnjë dënim për politikanët. Dasmat e diskotekat i keni mbyll, e edhe kafiteritë po dënohen se po i lejojnë 5 persona në një tavolinë”, ka thënë Kllokoqi përmes një komunikate për media ditë më parë.
Po ashtu në formë proteste kishte reaguar edhe PSD-ja. Ndërsa, mësohet se nga nesër pritet që Qeveria në detyrë të marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID.