Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez e ka konfirmuar se ai ka arritur marrëveshje për ta rinovuar kontratën e tij me klubin.
Pas lajmeve të shumta që Xavi do të nënshkruajë kontratën e re gjatë ditëve në vazhdim, dhe konfirmimit nga drejtori sportiv, Deco, presidenti i Barçës, Joan Laporta arriti në Ciutat Esportiva pak çaste para se të fillojë konferenca e Xavit.
Xavi ishte me vonesë afro 25 minuta, dhe u pyet nëse kjo vonesë ka të bëjë me rinovimin e kontratës së tij.
“Po është punë e kryer. Ka përfunduar para disa ditësh dhe do të bëhet zyrtare së shpejti. Veçse e kam thënë se jam 10/10 këtu, jam i lumtur, gjithçka do të bëhet zyrtare së shpejti”, tha Xavi.
Xavi pritet ta rinovojë kontratën e tij edhe për një sezon tjetër deri në vitin 2025, edhe pse ka pasur raportime se do të ketë një klauzolë që nëse i arrin synimet e caktuara, kontrata e tij do të rinovohet sërish.