Në prag të ndeshjes së parë të Kosovës në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve kundër Qipros, trajneri dhe analisti Arsim Plepolli ka thënë se “Dardanët” në këtë sfidë duhet të luajnë vetëm për fitore.
“Jo vetëm me Qipron por me të gjitha kombëtaret duhet te luajmë për fitore. Ne kemi ekip dhe potencial, prandaj duhet ta shfrytëzojmë atë dhe vetëm fitore, sidomos me Qipron sepse loja e parë na jep vetëbesim për ndeshjet e radhës”, ka thënë Plepolli për KP.
Ai ka shtuar se trajneri Alain Giresse duhet të jetë shumë i vëmendshëm nga ndeshja në ndeshje dhe të mos e bëjë gabimin e njëjtë siç e bënte Bernard Challandes kur ndaj çdo kundërshtari aplikonte sistem të njëjtë të lojës.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të luajmë mençur. Dallime loja prej lojës ka shumë, nuk duhet të qasemi njësoj si Challandes që aplikonte pa marr parasysh se me kë luajmë, ai luante të njëjtin stil të lojës. Mendoj që ka qenë e gabuar. Ekipën duhet vendosur sipas cilësive të kundërshtarit. Forma është e mirë duke marrë parasysh se 90 përqind futbollistëve kane minutazhë të mjaftueshme nëpër klubet e tyre. Kjo është shume pozitive për ne”, ka thënë në fund Plepolli.