Menjëherë pas shkarkimit të Bernard Challandes nga posti i trajnerit të Kombëtares së Kosovës, kanë filluar reagimet e opinionit dhe njohësve të futbollit.
Challandes u shkarkua pas rezultateve negative në ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Në lidhje me shkarkimin e tij, ka folur trajneri dhe analisti i futbollit Arsim Plepolli i cili ka thënë për KosovaPress se Federata mori vendimin e duhur për shkarkimin e Challandes sepse, sipas tij, janë rezultatet ato që e ruajnë pozitën e një trajneri.
“Mendoj që vendimi i Federatës ishte i qëlluar dhe me vend. Tani nuk duhet t’ia humbim edhe meritat e Challandes për sukseset e arritura te Kosova, por dihet që rezultat e mbajnë një trajner në krye të ekipit. Ne e dimë që jemi Kosova dhe nuk duhet të kemi pritje shumë të mëdha, sepse skuadra të mëdha si Spanja, Suedia e të tjera nuk mund t’i mposhtim edhe me trajner si Guardiola e Mourinho”, ka thënë Plepolli për KosovaPress.
Më tutje Plepolli ka folur edhe për emrat e trajnerëve që po qarkullojnë në media si kandidat potencial për ta zëvendësuar Challandesin në stolin e trajnerit duke thënë se këto janë vetëm spekulime mediale, por që ka tërhequr vërejtjen që Kosova nuk është ende e gatshme për të emëruar një trajner vendor për shkak se do ta kishte të vështirë ta kontrollonte situatën.
“Mendoj që duhet të marrim një trajner që e njeh mentalitetin tonë. Unë nuk mendoj se jemi të gatshëm t’ia besojmë këtë punë një trajneri vendor sepse do të kishtë vështirësi për ta mbajtur kontrollin mbi ekip”, ka thënë Plepolli.
Ndryshe, emra si Gianni De Biasi, Roberto Carlos dhe Felix Magath po qarkullojnë si zëvendësues potencial të Challandes.