Ministri i Brendshëm, Niko Peleshi konfirmoi sot se sulmet kibernetike nuk kanë prekur në asnjë rast sistemet ushtarake që janë autonome.
Në një prononcim për media pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi u shpreh se “pas agresionit rus në Ukrainë na duhet të investojmë edhe më tepër e të forcojmë sigurinë dhe mbrojtjen, dhe së fundi edhe mbrojtjen kibernetike.
“Ne jemi të sulmuar dhe jemi duke u përballur me sulme serioze. Lajmi i i mirë është që të gjithë aleatët tanë kryesorë, SHBA dhe NATO, pjesë e së cilës jemi, janë bashkë me ne në këtë front të ri për kohën por që do të jetë për shumë kohë një nga sfidat tona. Sistemet tona kibernetike ushtarake as herën e parë dhe as tani nuk janë prekur. Janë më se të mbrojtura pasi janë më specifike, më të dedikuara dhe të shkëputura nga sistemet e tjera, pra pasi janë autonome. Kjo i bën të jenë më të mbrojtura”, tha Peleshi.
Ministri theksoi se, qeveria po punon për ta ngritur në një nivel edhe më të lartë sigurinë kibernetike në FA dhe sistemet e mbrojtjes dhe të sigurisë në vend.
“Jemi në zbatim të një projekti shumë të madh në vlerë 24 milionë dollarë të mbështetur nga SHBA që synon ngritjen e Qendrës Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, aftësimin e stafit, personelit ushtarak dhe civil që punon aty. Paralel është viti i dytë i masterit të sigurisë kibernetike. Vitin e kaluar 16 vetë nga sistemi i mbrojtjes por edhe institucione të tjera relevante janë masterizuar për siguri kibernetike. Vijojmë me kursin e dytë”, tha ai.
Peleshi shtoi se, pak javë më parë është miratuar në Këshillin e Ministrave edhe një projektvendim që jepte bonus shtesë të gjithë punonjësit në njësinë e sigurisë kibernetike.
Ndërkohë Peleshi theksoi se “nuk jemi në ndonjë skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit të vendit”.
“Jemi anëtar të NATO-s, jemi të paprekshëm. Asnjë pëllëmbë apo m2 i territorit të hapësirës të NATO-s nuk është i cënueshëm sepse fuqia më e madhe ushtarake në botë është NATO dhe ne jemi pjesë e saj. Edhe Kosova që është në qendër të axhendës sonë politike e gjeopolitike ka një prezencë të KFOR-it që e bën atë të sigurt. Por duhet thënë se jetojmë në Ballkanin Perëndimor që është fronti i dytë më i vështirë dhe më i brishtë sa i përket prishjes së ekuilibrave gjeopolitikë, por jemi larg ndonjë skenari të mundshëm të ndonjë cenimi fizik”, shtoi ai.
“E keqja është që edhe sulmet kibernetike nuk është se bëjnë më pak dëm se sa ato fizike. Ndaj besoj se do të na marrë shumë energji, kohë, buxhet, rrjet bashkëpunimi, forcimi i sigurisë kibernetike. Gjithashtu siguria kibernetike nuk është më domain i së ardhmes është i së tashmes dhe Shqipëria mund ta dëshmojë atë më mirë se çdo vend tjetër së fundi. Shumë pranë nesh në këtë përpjekje janë SHBA, NATO dhe BE. Jemi në një bllok shumë të fortë për ta mbyllur njëherë e mirë murin kibernetik dhe për ta bërë vendin tonë po aq imun sa edhe në sigurinë fizike”, përfundoi ministri./atsh/