Rreth 800 biznese, që kryesisht ishin familjare, janë mbyllur gjatë vitit 2020 në komunën e Gjilanit, si pasojë e pandemisë COVID-19. Megjithatë kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri thotë se kanë arritur ta menaxhojnë mirë pandeminë.
I pari i Gjilanit thotë se gjatë vitit që lamë pas kanë arritur me sukses të realizojnë të gjitha projektet e parapara për vitin 2020. E këtë vit, synon të kthejnë Gjilanin në qytet të biçikletave.
Haziri në një intervistë për KosovaPress tregon se nuk synon një mandat tjetër në krye të Gjilanit, ndërsa shton se ka përmbushur të gjitha projektet e synuara për komunën, e ato pak që kanë mbetur thotë se do të përfundojnë këtë vit.
“Ne jemi ballafaquar prej 22 shkurtit me pandeminë në Gjilan, kemi filluar masat e para, ndërsa më 13 mars, qeveria ka nxjerrë vendime ekzekutive sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe ne i kemi respektuar. Gjatë gjithë vitit, përkundër vështirësive, ne kemi ndërhyrë në 16 familje me asistencë sociale, kemi ndërhyrë në sektorin e ekonomisë së vogël apo ekonomisë familjare dhe kemi arritur të ruajmë së paku deri në këtë fazë, deri në miratimin e pakos ekonomike të qeverisë, edhe mirëqenien ekonomike në komunën e Gjilanit”, thotë Haziri.
Komuna e Gjilanit, gjatë vitit të kaluar ka punuar mbi baza ditore në parandalimin e pandemisë. Haziri thotë se janë shquar për menaxhim të mirë, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.
“QKFM-ja ka arritur që deri në 92 vizita ditore t’i ketë në familje dhe e ka larguar nevojën që qytetarët të shkojnë në spital për trajtim. E ka ulur edhe arsyen, edhe numrin, edhe kërkesën që njerëzit të adresohen në spital. Nëse shkon ekipi i mjekëve, e trajton edhe të sëmurin me COVID në shtëpi, i jep asistencë, këshilla mjekësore, edhe ilaçet që ne i kemi siguruar, atëherë natyrisht që është trajtuar dhe janë mirëpritur mënyrat e tilla të tretmanit. Spitali ka qenë më i shkarkuar, ka pasur situata siç i kemi pasur në gusht dhe shtator, ku është tensionuar Spitali i Përgjithshëm për shkak të numrit të madh dhe mungesës së mjeteve, por është arritur të përballohet me këto kapacitete që i kemi”, tregon ai.
Sipas vlerësimeve të komunës së Gjilanit, del se nga pandemia është prekur më së shumti ekonomia e vogël. Ndërkohë që është paralajmëruar përshkallëzim i situatës, kryetari Haziri shprehet optimist se një gjë e tillë do të evitohet me vaksinimin e popullatës.
“Kemi humbur afër 780 vende të punës që kryesisht ishin biznese familjare, ata që nuk kanë mundur të përballojnë mbylljen totale. Pjesa tjetër, sektorët e shërbimeve, në veçanti gastronomia është e rrezikuar. Ndryshimi i afateve në hapje – mbylljen e lokaleve, kufizimet, masa e shfrytëzimit, vendi sa mund të shfrytëzohet, të gjitha këto kanë bërë që të ketë një impakt serioz në biznesin e tyre. Por po shpresoj që subvencionet e pakos ekonomike ta lehtësojnë pak. Edhe sektori i shërbimeve të transportit ka pasur ndikim. Subjektet e tjera e kanë përballuar më mirë”, shpjegon Haziri.
E pavarësisht problemeve me pandeminë, i pari i Gjilanit thotë se edhe vitin që lamë pas nuk kanë munguar investimet infrastrukturore dhe ato publike, ndërsa shton se një vonesë 6 mujore i ka prekur projektet afatmesme. Siç thotë ai, investimet në zonën e parë të qytetit janë ato në të cilat do të punohet edhe këtë vit në to.
“Ne po mendojmë në investimet tona publike në zonën e parë me e ulë nevojën e përdorimit të veturave në qytet, me e kthy në një qytet të biçikletave, jo pse e kemi fabrikën e biçikletave, të vetmen në Kosovë, por edhe me e largua përdorimin e veturave sepse infrastruktura do të ndërtohet në mënyrë që qytetarët me pas mundësi dhe qasje të barabartë me dal në qytet pa u pengu dhe në afat shumë të shkurtër”, thotë ai.
Tutje, Haziri tregon për KosovaPress se ky është mandati i tij i fundit në krye të Gjilanit, dhe se kryetarit të ri nga investimet infrastrukturore do t’i mbetet ndërtimi i objektit të ri të komunës.
“Unë jam këtu deri kur pritet të përfundojë mandati sepse zgjedhjet e rregullta pritet me qenë diku në tetor të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, do të varet krejt prej zhvillimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që i kemi, por asnjëherë nuk ka ndodhur që zgjedhjet lokale të mos mbahen në kalendarin e vet, që nga pavarësia. Deri atëherë nuk kam asnjë plan tjetër, asnjë kërkesë tjetër. Dua t’ju qëndroj besnik qytetarëve të Gjilanit, të cilët më kanë votuar për të qenë 4 herë kryetar i Gjilanit, 3 herë me qenë deputet i tyre dhe 3 herë me qenë në qeveri. Jashtë votës nuk shoh legjitimitet tjetër”, thekson ai.
Përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia, Lutfi Haziri thotë se gjatë 2020-ës, Gjilani arriti të identifikohet si kryeqytet i kulturës, e kjo pasi kanë arritur të zgjedhin statusin e Ansamblit të aktorëve dhe punonjësve të teatrit.