Profesor Shyqri Nimani është ndarë vetëm fizikisht pasi vepra e tij do të jetojë gjithmonë. Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për të nderuar profesorin e ndjerë, Shyqri Nimani, me ç’rast u mbajt edhe një minutë heshtje.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani teksa vlerësoi lart veprën e Nimanit, tha se profesor Nimani po ndahet vetëm fizikisht prej nesh, pasi vepra e jeta e tij do të jetojnë gjatë sa shtetësia e Kosovës.
“Profesor Shyqa siç e quanim të gjithë do ta gjejë paqen në botën e përtejme, duke marrë me vete dashurinë e njerëzve që patën fatin ta njihnin, ta kishin në familje e duke na lënë prapa veprën e jashtëzakonshme artistike pasionin e madh për artin, kujtimin e pasosur si njeri e ëndrrën për të ngjarë sado pak. Rastet e tilla sikur është ndarja prej miq të shquar si profesor Shyqa, njeriu e kupton se ndarja është vetëm dhimbje që na shtyn drejt afrimit më të madh me atë që ata përfaqësojnë dhe me peshën e tyre në jetët tona…Profesor Shyqa po ndahet vetëm fizikisht prej nesh, por pikërisht në këtë ndarje ne e kuptojmë se ai, vepra e tij, personaliteti i tij i jashtëzakonshëm, kontributi i tij për artin përfshirë edhe organizimin e jetës artistike, duke qenë shtytës i madh i krijimit të Galerisë Kombëtare veprat e shumta të dizajnit grafik, mësimet e tij, karligrafia e tij e mbetur dëshmi kohe në deklaratën e pavarësisë. Pra, të gjitha këto bashkë nuk na ndajnë, por na mbajnë të lidhur përjetësisht me të. Ato nguliten thellësisht në kujtesën tonë e në veprimin tonë”, tha presidentja Osmani.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku teksa shprehu ngushëllime për vdekjen e profesor Nimanit, deklaroi se vdekja e tij i ka gjetur në befasi. Ministri Çeku tha se profesor Nimani ka lënë gjurmë në artin vendor, të cilat sipas tij, institucionet duhet t’i kultivojnë.
“Një shqiptar i devotshëm një njeri i botës që e shihet botën me syrin e një shqiptari pa asnjë kompleks por me shumë mburrje e krenari për historinë e kombit të tij, një personalitet poliedrik që ka punuar në shumë fusha ka lënë shumë vepra e gjurmë jo vetëm në numër, por edhe cilësi e elegancë në shumë stil. Ne natyrisht që na takon që të bëjmë më të mirë tonë si institucione për ta kultivuar këtë trashëgimi që na ka lënë pas”, u shpreh Çeku.
Bashkëpunëtorit i Shyqri Nimanit, profesori Jusuf Buxhovi theksoi se tashmë i ndjeri Nimani ka merita historike për ndërtimin e binarëve të shteti të Kosovës.
Buxhovi tha se Shyqri Nimani është ndër ata që kanë krijuar vepra, të cilat e kanë ndërlidhur identitetin tonë me atë perëndimor.
“Shyqri Nimani nuk do të mbetet në kujtesë vetëm për këtë, kujtoj se ai i takon brezit të intelektual e krijuesve që lirisht mund të quhen brezi i Republikës së Kosovës, brez, i cili në fund të viteve 60’ta, 70’ta, 80’ta e tutje krijoi platformën intelektuale, institucionale e shpirtërore të një rrugëtimi tonë fillimisht kah barazia…Shyqri Nimani është ndër ata, të cilët i takoi merita historike se shtetin e Kosovës ta vënë në binarët historik dhe ajo karligrafia e tij me deklaratën e pavarësisë do ta ruajë imazhin e përhershëm të tij. Unë kujtoj se ky është një nderim i jashtëzakonshëm, të cilin e ka pas fatin ta ketë vetëm Shyqri Nimani nuk e ka pas pse i ka rënë ashtu rastësisht, por se ka qenë një mjeshtër i madh”, tha ai.
E fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Shyqri Nimanit pati edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili Nimanin e quajti si një yll polar.
“Kontributet e gjithë ndryshme të tij shtrihen larg përtej dizajnit karligrafik, dizajni grafik ai ishte edhe sfidues e historian i flaktë i artit që gjurmoi artistët shqiptar gjatë renesancës italiane nëpër Evropë ose edhe gjatë perandorisë osmane, duke na lënë disa monografi mbresëlënëse. Krahas rritjeve të jashtëzakonshme si studiues arti, profesori Nimani kishte po ashtu edhe një shpirt poetik, rrugëtimi artistik e çoi shumë larg atdheut…Nuk ishte ai thjesht vetëm një profesor, por ylli polar për të gjithë ata që e patën fatin me u arsimua dhe aftësua prej tij”, theksoi ai.
Djali i akademikut, Shyqri Nimani, Albani falënderoi të gjithë që po u qëndrojnë pranë në këto ditë të vështira për familjen e tyre, ndërsa kërkoi që ata njerëz të mëdhenj që kanë mbetur, të vlerësohen.
“Edhe si shtet edhe si shoqëri duhet me e dashtë njëri-tjetrin dhe sidomos njerëzit e paktë që kemi dhe po na humbin gjeneratat që i pamë edhe në këtë posterin e teatrit janë komplet historia modern…mendoj se ata që na kanë mbetur me i deshtë dhe me i respektua shumë, me i vlerësuar në mënyrë që të krijojmë bazat e mira edhe për gjeneratat tjera”, tha ai.
Profesor Shyqri Nimani ka ndërruar jetë dje (22 qershor). E gjatë ditës së sotme, personalitetet kulturore e politike në vend bënë homazhe në nderim të profesorit të ndjerë, Shyqri Nimani. Profesori Nimani për në banesën e tij të fundit do të përcillet në orën 17:00. Shyqri Nimani ka qenë dorëshkruesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës.