Sot ka datëlindjen shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, për çka urime ka marrë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani ka shkruar në Facebook se Kadare është njeri që i ka dhënë udhë kombit në çastet më të vështira të historisë.
“Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë. I tillë është shkrimtari ynë Ismail Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, kryeveprat e Kadaresë janë të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore dhe se përmes tyre, Osmani tha se ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.
“Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie. Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij. E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër! Paç shëndet!”, thuhet në urimin e presidentes Osmani.