UBT News

​Osmani: Jemi përkrah BE-së, na lejoni të hyjmë brenda

Në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar, si i vetmi i popull i izoluar në kontinentin evropian. Osmani ka theksuar se qytetarët Kosovës janë pro-evropian por ndjehen të diskriminuar dhe se ndaj tyre po bëhet padrejtësi e madhe. “Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, na lëreni të hyjmë brenda”, ka thënë ndër të tjera e para e shtetit.

Presidentja ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike por sipas saj pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm qytetarët mbesin të izoluar.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën. Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova e ka bërë pjesën e saj për të arritur lëvizjen e lirë, ndërsa tani është radha e Bashkimit Evropian.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj. Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen. Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje”, tha presidentja.

Osmani ka përmendur edhe vendimin e Kosovës për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, për çka ka thënë se pret mbështetje në mbledhjen e radhës së Këshillit.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë“, shtoi ajo.

Sipas Osmanit, pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit do të krijonte mundësi për Rusinë dhe do të dërgonte të zhgënjimin e qytetarëve.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë. Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda”, ka përfunduar Osmani.

Exit mobile version