Oda e Afarizmit të Kosovës po konsideron se diskrepanca e madhe mes pagave në sektorin publik dhe sektorit privat dita ditës po thellohet dhe po paraqet një mosbarazi edhe më të madhe për të punësuarit në këto sektore.
OAK duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2020, thekson se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2020 ishte 466€, përderisa paga mesatare bruto në sektorin privat, për vitin 2020 ishte 380 €, paga mesatare bruto në sektorin publik ishte 624 €, ndërsa tek ndërmarrjet publike paga mesatare bruto ishte 769 €.
“Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh shqetësimin e saj për këtë diskrepancë të krijuar ndër vite mes pagave të sektorit publik dhe atij privat. Sektori publik edhe më tutje po vazhdon të favorizohet në paga, edhe pse ata paguhen nga tatimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke vënë kështu, të punësuarit në sektorin privat në një pozitë më pak të favorshme krahasuar me ata të sektorit publik. Mes dy sektorëve, ekziston një konkurrencë dhe ndikim reciprok, duke bërë që të punësuarit profesional të jenë më të tërhequr për të punuar në sektorin publik. E që në fakt duhet të bëhet e kundërta, sektori publik është i stërmbushur dhe të rinjët duhet të orientohen drejt sektorit privat, duket ofruar kështu më shumë mundësi për ngritje dhe zhvillim”, thuhet në një komunikatë të OAK.
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) si përfaqësuese e qindra bizneseve vendore, kërkon që prioritet i vendit tonë të jetë mirëqenia e tërë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe rritja e punësimit, e jo vetëm mirëqenia e atyre që janë të punësuar në shtet.