UBT News

​Numri i të punësuarve me sindromën down mbetet i ulët

Numri i personave me sindromën down të punësuar vazhdon të jetë shumë i ulët. Aktualisht, në bazë të të dhënave të shoaqtës “Down Syndrome Kosova” janë vetëm 15 të punësuar në të gjithë vendin, me vetëm një prej tyre si i punësuar në institucione publike. Kjo shoqatë numëron rreth vetes mbi 980 persona me sindromën down, për të cilët kërkon më shumë vëmendje rreth kërkesave të tyre.

Pavarësisht se organizata “Down Syndrome Kosova” përfaqëson komunitetin në nivel vendi, shtrirje kanë vetëm në katër regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Ferizaj. Kjo bën që shumë persona të tjerë jashtë këtyre qendrave të vijnë në Prishtinë vetëm për trajtim.

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri potencoi se posedojnë të dhënat për mbi 980 persona, por shifra reale e personave me këtë sindromë mund të jetë më e lartë.

“Në bazë të statistikave që i ka shoqata ‘Down Syndrome Kosova’ ne i numërojmë mbi 980 persona me sindromën down përfshirë të gjitha grupmoshat, mirëpo nuk mund të themi se këto statistika janë 100% të sakta, duke u bazuar në faktin që në vazhdimësi kemi raste të moshës madhore që vijnë dhe paraqiten në shoqatë, mirëpo për këtë numër që e kemi mbi 980, shoqata ‘Down Syndrome Kosova’ ka të gjitha informatat sa i përket emrit, mbiemrit, datës së lindjes, personit kontaktues, komunën ku jeton”, tha ajo.

Për shkak të ndërprerjes së kontratave dhe punësimi i të tjerëve, numri i personave me sindromën down që janë në marrëdhënie pune ndryshon vazhdimisht, ndërsa aktualisht numërohen 15 të punësuar.

“Numri i personave që janë të punësuar është rreth 15 persona sepse kemi raste të ndryshme sepse ndërpritet kontrata, kjo është arsye se pse ne lëvizim me shifra. Kemi raste ndërkohë kur punësohet një person me sindromën down, mirëpo në përgjithësi numri i të punësuarve tani që i kemi informatat në teren… deri tani i kemi 15 të punësuar”, ka thënë ai.

Organizata “Down Syndrome Kosova” në vazhdimësi mban programe për autonomi për personat me sindromën down, që i përgatit ata për jetë të pavarur si dhe për treg të punës.

Megjithëse, vitin 2021 e cilëson të mirë sa i përket punësimit, për Hajdini-Beqirin mbetet shqetësim që institucionet publike nuk i hapin dyert për këta persona.

“Në kuadër të programit organizohen edhe sesione informuese për prind dhe për palët e reja të interesit, ndërsa në programin për autonomi dhe aftësim profesional ofrohen shërbime në kuadër të cilave përgatiten personat me sindromën down për jetesë të pavarur, përfshirë edhe përgatitjen për treg të punës sidomos vitin 2021 ka qenë njëri ndër vitet ta them të suksesshme për punësimin e personave me sindromën down mirëpo mbetet shqetësuese numri i të punësuarave me sindromën down, numri më i madh (i të punësuarve) është në institucionet private, deri më tani e kemi vetëm një person me sindromën down të punësuar në institucionet publike”, deklaroi Hajdini-Beqiri.

Institucionet publike nuk është se vetëm nuk i punësojnë personat me sindromën down, por edhe mbështjen e kanë të pakët për të njëjtit.

Sipas drejtoreshës Hajdini-Beqiri, shoqata ka nevojë për mbështetje të shërbimeve terapeutike pasi që ato kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e personit me sindromën down.

“Mbështetja nga institucionet është në kuadër të projekt-propozimeve dhe nuk është mbështetje e mjaftueshme, bazuar në nevojat që ka organizata e sidomos nevoja për mbështetje të shërbimeve terapeutike, që shërbimet terapeutike që ofron shoqata ‘Down Syndrome Kosova’, janë shërbime shumë të rëndësishme të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e potencialit të një individi me sindromën down dhe përderisa nuk kemi një mbështetje të qëndrueshme dhe afatgjate, nga institucionet publike në këtë rast, në këtë rast qoftë të nivelit publik apo të nivelit lokal, mund të thuhet që mbështetja nuk është e mjaftueshme nga institucionet publike”, ka shtuar ajo.

Periudha e festave të fund dhe fillimvitit në qendrat e shoqatës “Down Syndrome Kosova” shoqërohet me aktivitete të shumta që përfsijnë fëmijët dhe të rinjtë me sidromën down.

Exit mobile version