Ministria e Shëndetësisë e Izraelit njoftoi se janë zbuluar dy raste të infektimit me një lloj të ri të panjohur deri më tani të koronavirusit në vend.
Lloji i ri, një kombinim i nën ndarjes mbizotëruese omicron BA.1 dhe nën ndarjes tjetër BA.2, shkakton simptoma të buta, duke përfshirë temperaturë të ulët, dhimbje muskujsh dhe dhimbje koke, dhe nuk kërkon trajtim të veçantë, raportojnë mediat izraelite.
Sipas ministrisë, lloji është ende i panjohur në botë, dhe ai u zbulua nga testimi PCR i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion” pranë Tel Avivit.
Nënvarianti BA.2 ka shkaktuar ri-infektim te disa persona që fillimisht ishin të infektuar me llojin omicron. Megjithëse numri i rasteve të reja në Izrael ka rënë, të gjithë ata që mbërrijnë në aeroport janë duke u testuar.
Në mes të shkurtit, kishte më shumë se 30.000 të infektuar rishtazi në një ditë, dhe 6.310 u regjistruan të martën.
Ndërkohë, numri R, që tregon se sa persona mund të infektohen nga një i infektuar, ka arritur në 0.9. Dy javë më parë ishte 0.66.
Që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit, 10 mijë e 401 pacientë kanë vdekur në Izrael.