UBT News

​Nis ndërtimi i objektit të bibliotekës në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës ka nisur sot ndërtimin e objektit të bibliotekës së qytetit, “Latif Berisha”. Projekti i financuar nga Komuna e Mitrovicës arrin vlerën prej rreth 700 mijë euro, ndërsa punimet pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërtimin e kësaj biblioteke e ka quajtur ndër projektet më të rëndësishme në mandatin e tij qeverisës. Sipas tij, paratë e investuara në arsim, kulturë, sport dhe shëndetësi, nuk janë shpenzim, por investimi më i duhur.

“Për mua është nder, kënaqësi, përgjegjësi, që sot jam këtu bashkë me juve në fillimin e ndërtimit të një prej objekteve ndër më të rëndësishmet në mandatin tim qeverisës. Jo si vlerë financiare, por si peshë dhe rëndësi, sepse çdo para e shpenzuar në arsim, kulturë dhe sport, nuk është shpenzim, është investimi më i duhur. Nuk ka ekonomi dhe prosperitet pa arsim, kulturë dhe pa shëndetësi…Kur kam bërë programin me të cilin kam garuar, kam qenë drejtpërdrejt i involvuar, i kam pasur tre pyetje për veten, kur bëhet ky projekt, sa kushton dhe nga financohet ky projekt. Pa i dhënë përgjigje vetes në këto pyetje, nuk e kam vendosur në program”, ka thënë Hamza.

Valdete Idrizi, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Mitrovicë, e ka quajtur ditën e sotme historike për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj. Ajo ka thënë se ndërtimi i bibliotekës në qytetin buzë Ibrit, ka qenë jo vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës.

‘Jam shumë e lumtur, sepse sot me të vërtetë është një ditë historike… Jo se ka qenë nevojë, por ka qenë domosdoshmëri e kohës…Biblioteka e qytetit nuk ka pasur asnjëherë shtëpi të veten, asnjëherë objekt të saj”, ka theksuar Idrizi.

Ndërkaq sipas akademikut Isak Shema, të gjithë qytetarët e vendit i kanë sytë dhe përkushtimin nga Mitrovica.

“Mitrovica është vendi nga i kemi sytë të gjithë dhe ku e kemi përkushtimin tonë, prandaj me padurim presim jo vetëm ndërtimin, por edhe fillimin e punës të kësaj biblioteke”, është shprehur Shema.

Biblioteka në Mitrovicë gjatë periudhës së pasluftës kishte ndërruar disa herë adresë, por që së fundi ishte vendosur në lokacionin e qendrës multifunksionale “Omni Sport”, ku vazhdon të funksionojë edhe sot. 

Exit mobile version