Në kuadër të projektit të sigurimit shëndetësor të futbollistëve, sot, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka vizituar tri klube të Ligës së Parë; KF Vushtrria, KF Trepça dhe KF Istogu. Gjatë këtyre vizitave, i pari i FFK-së, ka bërë shpërndarjen e policave të sigurimit shëndetësor, teksa në Vushtrri ka inspektuar edhe punimet që janë duke u bërë në stadiumin “Ferki Aliu”.
Ademi ua ka shpjeguar futbollistëve dhe drejtuesve të klubeve dobitë e projektit të sigurimit shëndetësor, teksa i ka informuar edhe për projektet tjera që janë duke u realizuar dhe ato që janë të parapara në vazhdim, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Ai, uroi që futbollistët të kenë shëndet sa më të mirë dhe sa më pak lëndime në fushën e gjelbër.
Nga ana e tyre, drejtuesit e klubeve dhe futbollistët, e kanë falënderuar FFK-në dhe kreun e saj për punën e bërë dhe për një tjetër projekt që i ndihmon drejtpërdrejt futbollistët dhe ua heq një barrë të madhe klubeve.
Të rikujtojmë se nga ky projekt, i cili realizohet me kompaninë Sigal Uniqa Group, do të përfitojnë futbollistët e klubeve të Superligës në të dyja konkurrencat, Ligës së Parë në të dyja konkurrencat si dhe Ligës së Dytë në konkurrencën e meshkujve.