Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë nesër premierën e baletit “Tanzminiaturen” dhe “Tangata”, në skenën e Teatrit Kombëtar.
Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës ka thënë sot në një konferencë për media se shfaqja ishte paraparë për datën 13 shtator, por ajo ishte shtyrë për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19.
Ndërsa Ricardo Fernando koreograf i kësaj shfaqje tregoi arsyen e emrit të shfaqjes.
“Ka qenë disa javë shumë intensive për disa ide dhe për këtë arsye vendosëm që të shfaqim një stil më klasik. Ne e kemi quajtur Tangata, sepse muzika ka një energji të tillë dhe një kualitet të mirë”, tha ai.
“Tanzminiaturen” dhe “Tangata” është një shfaqje dy pjesëshe, e krijuar nga koreografi Ricardo Fernando dhe asistentja e tij, Christine Ceconello.
Shfaqja përbëhet nga “Tanzminiaturen” e cila është me muzikë të Johan S. Bach që ka në vete lëvizje neoklasike shumë elegante dhe “Tangata”, me muzikë të Astor Piazzolla, me elemente të tangos, por të modernizuara.