UBT News

​Nën vëzhgimin e Sylvihos, kuqezinjtë me paraqitje të mira në ekipet respektive

Futbollistët e Kombëtares shqiptare janë rikthyer sërish në fushën e blertë pas periudhës së pushimeve dimërore, duke dhuruar paraqitje pozitive në fushë, ku nuk kanë munguar as golat.

Sulmuesi Sokol Cikalleshi po kalon një formë mjaft të mirë në kampionatin e Arabisë Saudite. Bomberi shqiptar kaloi në avantazh ekipin e tij Al Khaleej që në minutën e 9-të, teksa ky është goli i tretë i sulmuesit kuqezi në këtë sezon futbollistik. Edhe Ernest Muçi ka arritur të rikthehet sërish te goli, duke realizuar dopietë personale në miqësoren që Legia e Varshavës zhvilloi kundër Cukaricki-t.

Një fundjavë mjaft e veçantë ishte kjo për dy nga futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin italian. Kjo pasi trajneri i ekipit kombëtar, Sylvinho ka ndjekur nga afër dy nga ndeshjet e Serie A ku aktivizohen dy prej kuqezinjve. Të shtunën, trajneri brazilian ndoqi nga afër ndeshjen Monza-Inter, ku mesfushori kuqezi Kristjan Asllani u aktivizua për rreth 35 minuta.

Sakaq, të dielën, tekniku i ekipit kombëtar ndoqi ndeshjen tjetër të kësaj jave në kampionatin italian, Roma-Fiorentina, ku mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla u rikthye si titullar në radhët e verdhekuqve dhe luajti për 90 minuta.

Pas fitores së Romës, djaloshi kuqezi mori edhe vlerësime nga trajneri i ekipit verdhekuq, Jose Mourinho, ndërsa sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Kumbulla është vlerësuar me notën 7.3. Ndërkaq, trajneri Sylvinho do të ndjekë edhe mbrëmjen e sotme ndeshjen tjetër të Serisë A, Empoli – Sampdoria, ku luajnë dy kuqezinjtë, Ardian Ismajli e Nedim Bajrami.

Edhe Frederic Veseli ka lënë pas dëmtimin, duke u rikthyer në fushë si titullar në radhët e Benevento-s në Serinë B, ndërsa minuta të plota ka pasur edhe për mbrojtësit e tjerë të Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu e Elseid Hysaj. Gardiani i portës kuqezi, Elhan Kastrati zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në radhët e Cittadella-s në Itali, duke u vlerësuar me notën 7.9 nga ‘Sofascore’.

Pas transferimit në ekipin grek Panathinaikos, Enis Çokaj po gjen hapësirat e munguara, teksa edhe këtë fundjavë u aktivizua në fraksionin e dytë të ndeshjes kundër PAS Giannia-s. Ndërkaq, edhe Odise Roshi e Endri Çekiçi patën minutat e tyre me ekipet respektive në kampionatin turk.

Exit mobile version