UBT News

​Në prag të startit të Superligës, Plepolli: Dominojnë Drita e Ballkani, Prishtina jashtë garës për titull

Të shtunën pasdite Superliga e Kosovës do të startojë me edicionin e ri garues 2022/23.

Dhjetë skuadra të elitës së futbollit kosovar do të hyjnë në këtë garë me qëllimin për t’i arritur objektivat e tyre, derisa pritet që të zhvillohet një kampionat edhe më cilësor se ai i vitit të kaluar për shkak të përforcimit të shumicës së klubeve.

Analisti, Arsim Plepolli thotë se pjesëmarrja e katër skuadrave në garat evropiane ka bërë që cilësia e kampionatit tonë të rritet dukshëm dhe kjo detyrimisht do të sjellë edhe një garë më të fortë ndërmjet klubeve.

Po sigurisht pres të jetë një kampionat më interesant se tjerët, duke marrë parasysh se këtë vit kemi pasur katër skuadra që kanë marrë pjesë në garat evropiane dhe këto ekipe e dinë të gjithë që janë përforcuar, sidomos për këto gara. Kanë marrë lojtarë cilësorë, kanë marrë lojtarë ku kanë çaluar më shumë. Kur marrim parasysh në përgjithësi kampionatin, mendoj që po të jetë një kampionat shumë i vështirë për të gjitha ekipet sepse do të thoja anashkaloje këtu Dritën dhe Ballkanin, mendoj që ekipet tjera do të jenë të nivelit të barabartë sepse e kemi parë edhe më herët që nuk ka pasur për shembull kur ka luajtur vendi i parë me vendin e parafundit niveli ka qenë dhe nuanca shumë të vogla e kanë përcaktuar fituesin, lojtarët individual më shumë e kanë përcaktuar atë fitues”, tha Plepolli.

Edhe në këtë edicion, Plepolli thotë se Superliga e Kosovës do të dominohet nga Drita dhe Ballkani, teksa Prishtinën e Ismet Munishit e përjashton nga lufta për titullin kampion.

Prapë mendoj që ligën tonë do ta dominojnë këto ekipet që kanë dalur në Evropë, duke e përfshirë ndoshta pak edhe Prishtinën. Në çoftë se Prishtina fillon t’i kryejë të gjitha obligimet dhe në çoftë se iu qëndron lojtarëve gati, atëherë mendoj që edhe Prishtina mund të futet në garë ndër katër apo pesë ekipet më të mira, por për titull kampion, është mendimi im personal, nuk e shoh sepse Drita dhe Ballkani janë shumë të forta. E dimë që kanë bërë shumë përforcime por edhe financiarisht kanë marrë fonde nga UEFA dhe FIFA, plus nga ky transferi, kështu që ata janë edhe financiarisht, edhe me kuadro të lojtarëve, janë shumë më të mirë”, theksoi më tutje Plepolli.

Trepça ’89 dhe Ferizaj janë klubet që e kanë freskuar Superligën në këtë edicion, por, sipas Plepollit, të dy këto skuadra do të kenë vështirësi par ta siguruar mbijetesën.

Do të jetë shumë vështirë. Është evidente që këto ekipe do të luftojnë deri në fund, por në futboll gjithmonë ka befasi, nuk dihet asnjëherë. Varet gjithçka se ku janë përforcuar, ku kanë parë se kanë çaluar, si e kanë kryer fazën përgatitore, çfarë mendojnë tutje. Sepse ka ekip që nuk dëshiron të dal në Evropë por dëshiron të jetë në mes të tabelës dhe gradualisht të ngritet sepse nuk ka financa të paguajë lojtarë cilësorë për ta ndjekur titullin. Këto ekipe që i përmende si Dukagjini, është përforcuar, Ferizaj me një kryesi të re, me një trajner shumë të mirë që e aktivizoi në ligë, mandej e kemi Malishevën që është pak më e zymtë, nuk dihet se çfarë po bëhet, ende nuk kemi dika risi, e kemi një Drenicë që deri dje e ka pasur merkaton e mbyllur, këto ekipe që kanë probleme do të luftojnë për mbijetesë”, shtoi Plepolli.

Mungesa e tifozëve në stadiume është një dukuri që po i përcjellë klubet e Superligës së Kosovës dhe kjo sipas Plepollit po ndodhë për shkak se po mungon loja tërheqëse. Sipas tij, stadiumet nuk mbushen me anë të thirrjeve të ndryshme nga ana e trajnerëve të klubeve, por me lojë kualitative.

Për t’i sjellë tifozët nuk duhet të flasësh hiç, tifozin e sjellë fusha brenda, loja. Në çoftë se ju luani mirë, jep kënaqësi publikut, medeomos ai do të vijë t’iu shikojë, tifozi i zemrës. E tani që i bëjnë këto analizat mediatike, dikush që di ta menaxhojë këtë sistem, është tjetër gjë, por atëherë mbushet stadioni, një lojë ose dy por për të pasur vazhdimësi, duhet aplikuar lojë të mirë. Unë i pari, kur të më jep kënaqësi një ekip që luan mirë, unë patjetër do të shkojë ta shikojë sepse ai të jep adrenalinë, e sheh si po funksionon, e sheh sa mirë po luan, të jep shpresë për të ardhmen, e sheh që po e ndjekë titullin, shikuesi do të vijë patjetër”, tha Plepolli në fund.

Sezonin e kaluar kampion i Superligës u shpall Ballkanin.

Exit mobile version