Skuadra e Ballkanit pritet të ketë një mbështetje të madhe për ballafaqimin me Shkupin në ndeshjen kthyese të Ligës së Konferencës si në stadium ashtu edhe jashtë tij.
Kampioni në fuqi i Kosovës do të kërkojë të bëjë histori për futbollin kosovar duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Në mbështetje të klubit i cili vjen nga qyteti të cilin ai e drejton, ka dalë fuqishëm edhe kryetari Bali Muharremaj.
Ai sot në mëngjes ka postuar një fotografi në “Facebook” ku shihet në zyrën e tij të punës i veshur me fanellën e Ballkanit.
“Mirëmëngjes. Sot, ambienti i punës ka kuptim me fanellën e klubit tonë FC Ballkani”, ka shkruar Muharremaj.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Shkupit starton nga ora 20:00.