Mjeshtri i Madh” i violinës, Hetem Qerimaj është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Lajmi është bërë me dije nga djali i tij, Fatos Qerimaj, në një postim në Facebook. “Të nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jetë të babit tim të dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranoftë në parajse”, ka njoftuar djali i tij, Fatos Qerimaj.
Hetem Qerimaj, mjeshtër virtuoz në violinë, krijoi kabanë e parë në violinë në moshën 22-vjeçare dhe e interpretoi në publik. Ai ka luajtur me violinë gjatë gjithë jetës, ndërsa në 85-vjetorin e tij mbajti një koncert të titulluar “Harku i Triumfit të Qerimajve” në Amfiteatrin e Liqenit, së bashku me breza të tjerë artistësh nga e njëjta familje.
Për 18 vite “Mjeshtri i Madh” punoi si violinist pranë Filarmonisë Shqiptare. Gjithë pjesën tjetër të veprimtarisë e kreu pranë Orkestrës së Ansamblit të Ushtrisë, pranë të cilit doli edhe në pension pas 34 vjet punë artistike.