UBT News

​Mutu: Nuk e di kush thotë se Rumania ka grup të lehtë, shikoni lojtarët që ka Kosova

Ish-futbollisti i njohur romun, Adrian Mutu ka folur për shortin e Kampionatit Evropian 2024, duke e komentuar si shumë të vështirë grupin e Rumanisë, aty ku bënë pjesë edhe Kosova.

Mutu ka thënë se nuk e sheh fare si grup të lehtë për Rumanin, duke përmendur Izraelin dhe Zvicrën si kundërshtarë shumë të fuqishëm si dhe duke e veçuar Kosovën si kombëtare me lojtarë që luajnë nëpër klube të mëdha evropiane.

Kombëtarja e Rumanisë ra në Grupin I në preliminaret e EURO 2024, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Kosovën, Bjellorusinë dhe Andorrën.

“Nuk e shoh si një grup të lehtë. Shumë njerëz thonë se nuk mund të jetë më mirë se kaq. Nuk e di pse, por nëse shikoni ndeshjet tona të fundit kundër Izraelit dhe në ndeshjet kundër Zvicrës, nuk e di kur kemi fituar herën e fundit dhe nuk e kemi takuar shumë Kosovën”, ka thënë Mutu.

“Në nivel ndërkombëtar, Kosova ka lojtarë që performojnë në kampionate shumë të forta. Kushdo që thotë se është një grup i lehtë, mund të dëshirojë të bëjë më shumë presion te trajneri!”, ka shtuar ai.

Ndeshjet do të luhen nga marsi deri në nëntor 2023 dhe do të vendosen 20 nga ekipet kombëtare të kualifikuara (dy të parat e renditura në secilin grup). Tre skuadra të tjera përfaqësuese do të fitojnë vendin e tyre në turneun final pas play-off-it të Ligës së Kombeve, në mars 2024.

Exit mobile version