UBT News

​Mourinho kandidat për të marrë drejtimin e Portugalisë

Portugalia po konsideron shkarkimin e Fernando Santos pas eliminimit të tyre nga Kupa e Botës dhe thashethemet sugjerojnë se Jose Mourinho mund të marrë këtë pozitë, por që nuk do të jap dorëheqje nga Roma.

Trajneri 59-vjeçar portugez u rikthye në Itali vitin e kaluar, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare me “Giallorossët” dhe ai gjeti menjëherë suksesin në kryeqytetin italian, duke e udhëhequr klubin drejt titullit të tyre të parë evropian në Ligën e Konferencës.

Pavarësisht disa pengesave, Roma po lufton për t’u futur në top katërshen e Serie-A këtë sezon nën drejtimin e Mourinhos.

Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, presidenti i Federatës së Futbollit në Portugali, Fernando Soares Gomes da Silva po shqyrton shkarkimin e trajnerit Fernando Santos pas eliminimit zhgënjyes të skuadrës nga Kupa e Botës në Katar.

Një opsion për ta zëvendësuar është Rui Jorge, ish-trajneri U-21, por një tjetër ide është Mourinho. Ky skenar do të shihte ish-trajnerin e Chelseat dhe Interit të mbante një rol të dyfishtë, duke udhëhequr Romën dhe ekipin kombëtar portugez në të njëjtën kohë.

Ndonëse një ide intriguese, është e vështirë të imagjinohet që kjo të ndodhë, me Mourinhon që duket se i kushton fokus të plotë projektit në rritje të Romës.

Exit mobile version