José Mourinho ka pasur një ndikim domethënës në strategjitë e transferimit të Romës, duke bindur Tammy Abrahamin dhe lojtarë të tjerë që të transferohen në “Stadio Olimpico” dhe sipas raportimeve në Itali, portugezi nuk ka hequr dorë nga Granit Xhaka i Arsenalit.
Roma ishte skuadra që shpenzoi më së shumti në Serie A gjatë verës dhe ka qenë një nga skuadrat më të ngarkuara në afatin kalimtar të janarit.
Mourinho ka bindur drejtuesit e Romës që të përforcojnë skuadrën gjatë muajve të fundit. Ainsley Maitland-Niles dhe Sergio Oliveira janë dy nënshkrimet e fundit për “Giallorossët”.
Oliveira dhe Mourinho kanë të njëjtin përfaqësues, Jorge Mendes, ndaj e ka pasur të lehtë që ta bindë 29-vjeçarin të kalojë në “Olimpico”.
“Special One” duhej të bënte më shumë përpjekje gjatë verës për të bindur Abrahamin të largohej nga Chelsea dhe të nënshkruante me “Giallorossi”.
Mourinho e kishte bindur edhe Xhakën që të kalonte në Romë. Megjithatë, “Giallorossi” dhe Arsenali nuk arritën një marrëveshje për çmimin e lojtarit, kështu që Xhaka mbeti në Londër.
“Sky Sport Italia” raporton se Mourinho nuk është dorëzuar dhe do të bëjë një përpjekje tjetër për të nënshkruar me Xhakën në fund të sezonit, duke qenë se Jordan Veretout mund të largohet.