Formimi i një grupi punues për shqyrtimin e Projektligjit për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara ka nxitur mospajtime mes deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Delegimi i dy zyrtarëve civilë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në këtë mbledhje, sipas deputetit Haliti është i papranueshëm.
Ai tha se në komision ka obligim të ardhjes ministrja Gërvalla dhe jo ekspertë të ndryshëm që s’kanë përfaqësim politik.
“Në komisione e ka obligim ministrja me ardh, jo ekspertët. Mund të shqyrtojmë ligjin, të amandamentojmë dhe pranojmë, por ne nuk jemi komision teknik i qeverisë, ne jemi kontroll i qeverisë. Në komision për me prezantu ligjin duhet me ardh ministrja, unë nuk pranoj me bisedu me teknikë, pasi ata janë për të përpunuar ligjin që iu dërgon ministrja. Ajo e miraton ligjin në mbledhje të qeverisë dhe e sjell në parlament në komisionet përkatëse. Nuk e di pse duhet ne me u fokusu në çështjet që janë detyrë e qeverisë… Unë nuk pranoj me u ulë me nëpunës të ministrisë me fol, me ministren po, me tjetër jo”, tha ai.
Mirëpo, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, deputeti i LVV-së, Haki Abazi, tha se formimi i këtij grupi punues ka për qëllim që i njëjti të jetë funksional dhe i zbatueshëm.
“As ne nuk kemi marrë obligim ndaj grupit punues brenda ministrisë, ne kemi bërë grup punues të deputetëve që kanë me ndjek çështjen. Në fund, qëllimi kryesor është që të del ligj i mirë, i zbatueshëm dhe funksional”, theksoi ai.
Pavarësisht kësaj, deputeti Haliti tha se ligji duhet të sillet gati në Kuvend dhe pastaj duhet të shqyrtohet mes dy leximeve në legjislativ.
“Këta duhet të sjellin ligjin e bërë gati. Ligji ka afatin kohor për sa kohë shqyrtohen në komisione dhe miratohet në Parlament”, tha ai.
Në debat u përfshi edhe deputetja tjetër e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila tha se kjo praktikë ekziston edhe në komisione tjetra parlamentare.
“Ne në komisionin për mjedis i kemi trajtuar rreth 30 projektligje, të cilat kanë ardhur dhe rreth 30 grupe punuese kemi pasur përfaqësues të ministrisë, përfaqësues zyrtarë ligjor të Kuvendit dhe deputetë, kemi punu bashkërisht. Kjo është praktika”, tha ajo.
Me gjithë kundërshtimet e deputetit Haliti, komisioni u pajtua për formimin e grupit punues për Projektligjin për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara.