UBT News

​Minxhozi pret në takim pilotin sportiv Afrim Aziri, flasin për promovimin e turizmit aeronautikë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka pritur të premten në takim, Afrim Azirin, ekspert të aviacionit civil dhe pilot sportiv i delta-planeve në Federatën Aeronautike të Kosovës.

Minxhozi tha se Aziri është qytetar nderi i Gjirokastrës, për shkak se ka promovuar turizmin në këtë qytet.

Në këtë drejtim, ai thotë se Aziri përveç Kosovës, po promovon edhe gjitha viset e tjera shqiptare.

Isha i gëzuar sot të presë Afrimin, i cili po jep një kontribut të rëndësishëm për lidhjet shpirtërore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Afrimi sot është qytetar nderi i qytetit të Gjirokastrës për arsyen e thjeshtë se ka promovuar turizmin nga largësitë. Me fluturaket e tij, ai ka marrë simpatinë e të gjithë njerëzve në Gjirokastër, si një person që promovon bukuritë e këtij qyteti. Gjirokastra është diçka e bukur dhe kontributi që po jep Afrimi në këtë drejtim është shumë i madh. Ai nuk është ndalur vetëm në promovimin e Kosovës, por edhe viseve të tjera shqiptare, ashtu siç është Gjirokastra”, tha ai.

Ndërsa, Aziri tha se qëllimi i tij është të hap një perspektivë të ri për turizmin aeronautikë në Gjirokastër dhe tërë viset shqiptare.

Në bashkëpunimin mes Federatën Aeronautike të Shqipërisë dhe Federatës Aeronautike të Kosovës, unë bëj pjesë tek pilotët me delta-plan dhe kemi zhvilluar disa aktivitete në bashkëpunim me ta. Ka ardhur një propozim se a mund të bëjnë diçka për aerodromin e Gjirokastrës, ne kemi organizuar një air show vitin e kaluar, kemi sjellë me dhjetëra fluturake nga vendet e ndryshme të rajonit. Kemi pasur delta plan me motër, aeroplan të vegjël dhe kemi bërë një air show shumë të mirë në përkrahje edhe të kryetarit të Gjirokastrës, Flamur Golemi. Kemi arritur që të hapim një perspektivë të re për turizmin aeronautikë”, shtoi Aziri.

Krahas kësaj, ai përmendi nevojën e ringjalljes së aeroportit të Gjirokastrës me aktivitete aeronautike.

Aziri tha se baza e zhvillimit të këtij aeroporti duhet të jetë tek përgatitja teknike dhe certifikimi i aerodromit sipas standardeve ndërkombëtare të aviacionit civil. Për çka u shpreh optimist se një gjë e tillë do të ndodh dhe do të ndërtohet një hangar, ku do të vendosën fluturaket dhe pajisjet e aeroklubeve të ndryshme.

Exit mobile version