UBT News

​Ministrja Haxhiu takohet me përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar sot përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Faton Morina, si dhe kryetaren aktuale të Bordit të Odës së Ndërmjetësuesve, Adelina Isufi, nga të cilët është njoftuar mbi angazhimet e kësaj ode që në vitin e fundit kanë kontribuar në zgjidhjen e më shumë se 5 mijë rasteve përmes ndërmjetësimit.

Përfaqësuesit e Odës po ashtu e njoftuan ministren me nevojën e hartimit të politikave të ndërmjetësimit, që i referohen regjistrit të ndërmjetësuesve por edhe tarifave të tyre, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Ndërmjetësimin.

Ministrja Haxhiu ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesën në zbatimin e procedurave ligjore në qëllim të adresimit të obligimeve të parapara me Ligj.

Lidhur me këtë, ministrja Haxhiu është zotuar të ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm, në një procedurë sa më të shkurtër, ashtu që pasqyra e akteve nënligjore që fuqizojnë ndërmjetësimin të miratohet, dhe të kontribuojë më tutje në promovimin e ndërmjetësimit, si njërës prej metodave për zgjidhjen e kontesteve që lehtëson qasjen e qytetarëve në drejtësi.

Së fundmi, ministrja Haxhiu ka shprehur pajtim me të gjitha shqetësimet e ngritura nga ana e përfaqësuesve të Odës dhe është pajtuar me të njëjtit, për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

Exit mobile version