Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka paralajmëruar ristrukturimin e Odës Ekonomike të Kosovës, e cila sipas saj do të jetë odë nacionale.
Ajo ka thënë se oda nacionale t’i përafrojë të gjitha bizneset në një ombrellë.
Këto komente ministrja e MINT i bëri në konferencën rajonale të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore (OEMVP) dhe Odën Ekonomike të Malit të Zi (PKCG).
Para afaristëve vendorë dhe rajonalë, ministrja Hajdari tha se vetëm me bashkëpunim rajonal mund të ketë integrim në rajon, pasi kështu sipas saj është integruar edhe Evropa. Megjithatë, ajo theksoi se është e nevojshme një strategji për aftësim profesional, që do ta nxiste rritjen ekonomike në rajon.
“Nëse nuk e kemi sektorin privat të angazhuar dhe pro aktiv, nuk do të kemi përafrim të profileve me nevojat e tregut. Sektori i përpunimit ka shumë profile që vuajnë për të pasur më shumë inxhinierë. Në këtë rast, në bashkëpunim rajonal, por së pari duke ristrukturuar edhe Odën Ekonomike të Kosovës, që do të jetë një odë nacionale, t’ju përafroj të gjithëve bashkë në një ombrellë dhe në bashkëpunim të afërt me vendet e rajonit ne duhet sa më shumë të marrim rolin për të kontribuar në arsimin dhe aftësimin profesional, sepse te ju është kompetenca dhe mundësia që të sjellin më lehtë një rritje ekonomike dhe në transformimin e industrisë sonë në vend dhe rajon”, tha Hajdari.
Më tej, ministrja e MINT-it ka njoftuar të pranishmit për politikat dhe indikatorët ekonomikë në Kosovë. Kosova sipas saj po tregon se ka një zhvillim me një rritje ekonomike dy shifrore në vitin 2021.
Në konferencën rajonale “Promovimi i investimeve rajonale” që u mbajt në Prishtinë, nikoqiri kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi theksoi se rritja e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve të rajonit fuqizon ekonomitë e këtyre vendeve dhe nxitë rritjen e investimeve mes vendeve tona.
Edhe kryetari Krasniqi theksoi se çdo hap që ndërlidhet me bashkëpunim më të ngushtë rajonal, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e mundësisë për integrimin e vendeve tona në Bashkimin Evropian.
“Si avokues ne përballemi çdo ditë me sfidat që kanë bizneset, andaj konsiderojmë si një nevojë që të njohim mekanizma edhe më të fuqishëm për të kontribuar, duke përfshirë infrastrukturë më të mirë ligjore, politika fiskale më të volitshme, krijimi i ofertave më të mira për nxitjen e investimeve edhe më të mëdha. Po ashtu edhe për rritje të kualitetit të arsimit për nevoja të tregut, të cilat do të pasojnë me zhvillim më të madh ekonomik dhe rritje të mirëqenies për vendet tona… Ne duhet të rrisim bashkëpunimin dhe të përfitojmë nga eksperiencat tona në mënyrë që të rritet produktiviteti i punëve tona. Çdo hap që ndërlidhet me bashkëpunim më të ngushtë rajonal, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e mundësisë për integrimin e vendeve tona në BE”, theksoi Krasniqi.
Udhëheqësja e lartë në Western Balkans Fund (WBF), Dafina Beqiri, theksoi se ky projekt forcon kohezionin rajonal dhe fuqizimin e sipërmarrjes.
“Për neve është shumë me rëndësi që ky projekt thekson çështjet kyçe, të cilat forcojnë kohezionin rajonal, pasi që bashkon shtyllat kryesore të mirëqenies shoqërore, duke krijuar kushte për fuqizimin e performancës sipërmarrëse”, theksoi Beqiri.
Në këtë konferencë rajonale janë mbajtur edhe tri panele diskutuese me përfaqësues nga tri shtetet, ku është diskutuar për rëndësinë e shkollimit dhe aftësimit profesional dhe ndërlidhjen me tregun e punës, ofertat e të bërit biznes që kanë Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe këndvështrimi që kanë odat ekonomike për këto tema.