UBT News

​Ministri Peci vizitoi fermerët në ,,Ditën e Mjedrës”

Sektori i pemëve të imta është me potencial të madh zhvillimi në Kosovë dhe kultivimi i tyre po sjellë përfitime të mëdha për fermerët.

Duke parë këtë potencial dhe përfitimet nga ky sektor, Ministria e Bujqësisë e ka rritur mbështetjen për kultivuesit e këtyre pemëve, duke përfshirë këtu edhe kulturën e mjedrës.

MBPZhR ka njoftuar se mbështetjen për këtë kulturë përmes politikave të duhura bujqësore e konfirmoi edhe njëherë sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me rastin e shënimit të “Ditës së Mjedrës”, përmes së cilës fushatë kultivuesit e saj po promovojnë prodhimet e tyre për disa ditë më radhë. Me këtë rast, ministri Peci vizitoi fermerët që merren me kultivimin e mjedrës, ku nga afër u njoh me procesin e prodhimit dhe përpunimit të kësaj kulture në kompaninë “JONI-SH”, e cila merret me grumbullimin dhe eksportimin e pemëve të imta.

“Përmes Programeve tona mbështetëse do të vazhdojmë të mbështesim sektorin e frutave të imta si në prodhim ashtu edhe në ngritje të kapaciteteve ruajtëse e përpunuese në mënyrë që ky sektor të jetë i vetë-qëndrueshëm dhe një zinxhir i plotësuar vlerash, nga prodhimi deri në shitje”, ka thënë ministri Peci.

Ndryshe, MBPZhR-ja sektorin e pemëve të tima, duke përfshirë këtyre edhe kulturën e mjedrës e mbështetë përmes Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve dhe Programit për Zhvillim Rural, duke iu mundësuar kështu prodhuesve vendor që krahas rritjes së kësaj prodhimtarie, të avancojnë edhe infrastrukturën përcjellëse, si në prodhimin dhe përpunimin e produkteve të tyre. Duhet theksuar se mbështetja për kulturën e mjedrës përmes PPD 2022, është rritur në krahasim me vitet e kaluara, ku subvencionimi nga 0.12€/kg që ishte në vitin 2021 këtë vit arrin vlerën prej 0.15 €/kg.

Exit mobile version