Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen tri komisione parlamentare. Paraditen e kësaj të marte, me të filluar në orën 10:00, do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, qeverisja dhe menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve. I ftuar në këtë komision do të jetë kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Në orën 13:00 do të mblidhet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Komisioni do të shqyrtojë propozim-vendimin e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit. Veç kësaj do të shqyrtohet edhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020-të. Gjithashtu anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë edhe propozimin për nismën legjislative ligjit me Projektligjin për Mbrojte nga Dhuna në Familje.
Kurse në orën 15:00 do të mblidhen deputetet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë.