Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se çështja e ruajtjes së ambientit nuk është temë luksi, por ka të bëjë me tokën që lihet pas pasardhësit. Kështu u shpreh ajo derisa mori pjesë në mbjelljen e drunjve në aksin rrugor te Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
“Së bashku me ministrat Peci e Aliu kemi ndërmarrë nismat qysh vitin e kaluar me qëllim që të iniciojmë edhe fazën e dytë të mbjelljes së drunjve. Në këtë fazë të dytë do të angazhohet edhe mërgata jonë. E tani ky kontribut do të vazhdojë për mbrojtjen e shëndetit tanë dhe gjithë qytetarëve. Është vendi apo pamja e parë që e shohin të gjithë vizitorët e Kosovës”, tha ajo.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se janë rreth 500 drunj që do të mbjellen.
“Mbi 850 mijë drunj deri më tani janë mbjellë. Rëndësia e këtij aksioni është e jashtëzakonshme në shumë aspekte. Është një aspekt i zvogëlimit të karbonit që lidhet me politikat e ndryshimeve klimatike sot”, ka thënë ai.
E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci shtoi se pyjet kanë rëndësi kombëtare.
“Ky aktivitet sot le të jetë shembull që duhet t’i japim natyrës shumë më shumë se që duhet t’i marrim”, ka thënë ai.