Kryesuesi Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku ka pritur sot në takim ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin ka biseduar për avancimin e bashkëpunimit mes KPK-së dhe OSBE-së, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial të Kosovës.
Maloku me këtë rast tha se OSBE ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në mbështetje të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit në ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve specifike, përmes hulumtimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje, hartimit të raporteve monitoruese dhe hartimit të Strategjisë kundër trafikimit të njerëzve.
Ndërsa, ambasadori Davenport tha se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Gjatë këtij takimi, Davenport u interesua edhe për situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës pas dorëheqjes së ofruar nga prokurorët e komunitetit serb të kësaj prokurorie, ku nga kryesuesi Maloku u njoftua me veprimet që janë marrë dhe janë duke u marrë lidhur me situatën e re të krijuar në këtë prokurori.