UBT News

​Mahir Tutuli zgjidhet kryetar i Gjykatës Komerciale

Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot ka bërë përzgjedhjen dhe emërimin e kryetarit të Gjykatës Komerciale.

Takimi filloi me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Komerciale, mandati i të cilit është pesëvjeçar dhe do të fillojë nga data 21 prill 2022.

Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën gjyqtarin Mahir Tutuli, kryetar i Gjykatës Komerciale.

Mahir Tutuli është gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2003.

Ai kreu provimin e Jurisprudencës në vitin 2005, ndërsa praktikën profesionale e mbajti në Odën e Avokatëve të Kosovës në vitin 2003. Ka punuar edhe si shef i Zyrës Ligjore në “Kosovo Enteprise Programe – KEP” 2007-2008.

Më 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku punoi deri në funt të vitit 2012. Në janar 2013, Tutuli u emërua gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa në shtator 2015 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Ligji për Gjykatën Komerciale ka hyrë në fuqi më 25 shkurt 2022.

Exit mobile version